Berisha: Gjyqtarja Gjoka shkel Kushtetutën, duhet të largohet

Berisha: Irena Gjoka, gjyqtare me pesë mbiemra, nuk duhej të vazhdonte detyrën

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, deklaroi se “ky është shteti i Irenës (Gjoka) me 5 mbiemra, e cila vazhdon detyrën në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.

Berisha theksoi se është bërë kërkesë pranë KLGJ-së për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës. Ai shtoi se kur ajo mori mandatin, nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në ligj për të qenë gjyqtare, pasi kishte një vendim penal të formës së prerë.

“Konkretisht, Kushtetuta në nenin 6/1, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cenuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese. Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozita të tjera. Nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin publik të funksionarit publik, sipas kushteve të miratuara me ligj, të miratuara me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit,” tha Berisha.

Ai sqaroi se ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96, në nenin 28/D për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, parashikon se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetase që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, siç është në rastin konkret, Irena Gjoka.

“Po ky ligj parashikon në nenin 66/3, detyrimin e çdo magjistrati për të njoftuar KLGJ-në menjëherë për ekzistencën e një kushti që çon në mbarimin e mandatit. Po ky ligj parashikon se gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ishte gjykatëse Irena Gjoka, do të vazhdonin të qëndronin në pozicionin e tyre, me përjashtim të rastit kur kishte shkaqe për përfundimin e statusit të magjistratit,” shtoi Berisha.

Ai përfundoi duke thënë se kjo person vazhdon të qëndrojë në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit dhe ligjet me tre të pestat, të cilat diktojnë largimin e saj të menjëhershëm. Ai gjithashtu përmendi bashkëpunimin e supozuar të saj me persona si Altin Troplini dhe pretendimet e Prokurorit të Përgjithshëm e Kryeinspektorit të Përgjithshëm për të mos qenë njoftuar.

Scroll to Top