Berisha mbledh krerët e degëve dhe jep porosi
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi këtë të hënë në selinë e partisë kryetarët e degëve. Gjatë fjalës së tij, Berisha u kërkoi drejtuesve të PD-së të riorganizojnë partinë në qarqe.
Ai theksoi se organizimi i partisë ka qenë një nga mangësitë më të mëdha gjatë viteve të fundit. “Për të gjithë ju dhe ne, kryefjala e të gjithave është organizim, organizim, organizim,” theksoi Berisha, duke shtuar se PD është parti e madhe dhe ata që e vënë në dyshim këtë gabojnë.
Ai pranoi se partia ka pasur një problem me organizimin dhe përkushtimin e energjive për qëllimet e saj. “Sot, dhe çdo ditë, kryetarët, anëtarët e kryesive, drejtuesit e qarqeve, kanë detyrën e organizimit dhe riorganizimit të kësaj partie, duke filluar nga seksionet,” u shpreh Berisha, duke shtuar se kjo është e domosdoshme në situatën aktuale.
Duke iu referuar kryeministrit Edi Rama, Berisha tha: “Edi Rama del nga ky qerthull vetëm po e lamë ne. Nuk mund të dalë.” Ai përmendi një intervistë të Ramës në një gazetë europiane, ku sipas tij, shtypi europian e ka cilësuar atë si “hipokrit, mashtrues e të tjerë me radhë”, duke cituar opozitën.
“Zërin e tyre, duhet të bëjmë gjithçka që këto përpjekje të vijnë në rritje. Edi Rama çdo ditë bëhet më armik, më antishqiptar, më hajdut me organizatën e tij kriminale. Ne nuk do e pranojmë kurrë,” përfundoi Berisha.
