Berisha kërkon hetim për Edi Ramën lidhur me dosjen McGonigal

Emri i Ramës përmendet 13 herë / Berisha: Kërkojmë hetim për dosjen McGonigal

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendit, ka deklaruar se opozita kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Kjo kërkesë vjen për shkak të provave të shumta, të cilat sipas tij lidhin kryeministrin Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.

Lideri i opozitës theksoi se në dosjen e gjykatës në Uashington thuhet se ndërhyrja për licencën e naftës u bë për t’ia dhënë një kompanie ku kishte interesa Agron Neza, dhe potencialisht edhe vetë McGonigal.

“Të duartrokiturit tuaja janë një histeri kolektive, asgjë më shumë. Por unë do t’u them shqiptarëve se ne kërkojmë këtë komision sepse në dosjen e gjykatës në Uashington, emri i Edi Ramës citohet, përmendet 13 herë në 13 pika,” tha Berisha.

Ai shtoi se emri i kryeministrit përmendet si personi që korruptoi McGonigalin, ndërsa gjykatësi i Uashingtonit thuhet se ka konstatuar se “njeriu i ngarkuar për të mbrojtur kombin nga korrupsioni, u korruptua vetë nga fuqia e huaj”.

Sipas dosjes së gjykatës së Uashingtonit, thuhet se McGonigal u mor me hetime mafioze, mori Tom Doshin dhe Durim Bamin në Vjenë me avion të posaçëm, shoqëruar nga një ministër. Po ashtu, thuhet se ndërhyri për licencën e naftës për t’ia dhënë një kompanie ku kishte interesa Agron Neza, dhe mundet edhe vetë McGonigali.

“Në dosjen e gjykatës së Uashingtonit thuhet se agjenti i sigurimit sekret, ish-këshilltari i Edi Ramës, nga zyra e tij mori 225 mijë dollarë dhe ia dha atij. Në dosjen e gjykatës thuhet se në vitin 2020, gjykatësi i Uashingtonit urdhëroi regjistrimin e të gjithë korrespondencës së Edi Ramës dhe ministrave të tij për efektin e korruptimit të McGonigal,” tha Berisha.

Ai vazhdoi duke përmendur se McGonigal u mor me çështje të reformës, u bë “qytetar nderi” këtu e aty, duke shtuar: “Pra, dhe këto qenkan veprime të pafajshme. Po ti po të flasësh me mendtë e tua, nuk e thua kurrë këtë. Por ti nuk flet kurrë me mendtë e tua. Janë të gjitha këto fakte.”

Berisha shtoi se kompania, licencës së së cilës iu hoq, arriti të gjobisë Shqipërinë 40 milionë euro, ndërsa kompania që mori licencën ishte e lidhur me Oleg Deripaskën.

Ai akuzoi mazhorancën se po bllokon hetimet ndaj Edi Ramës dhe po vepron në kundërshtim me Kushtetutën. Kryedemokrati tha gjithashtu se kryeministri korruptoi kreun e kundërzbulimit të SHBA dhe paraqet situatën si një skandal me rëndësi të madhe globale që merr një dimension makbethian.

“Pra, nuk shpëtoni dot nga këto. Por ka një dimension ndërkombëtar tmerësisht të rëndësishëm. Ish-njeriu që duhej të siguronte vendin e tij nga korrupsioni, vendi i tij udhëhiqte NATO-n, korruptohet nga vendi më i vogël, më i parëndësishëm i NATO-s, nga Shqipëria. Nga kryeministri i saj. E kuptoni se çfarë dimensioni makbethian merr kjo? Si mundet ju të pengoni komisionin hetimor parlamentar? Mendoni ju se kryeministri juaj do ta kapërcejë? Absolutisht kurrë. Prandaj zoti kryetar do bësh një gabim të madh historik që të bllokosh… do shkelësh Kushtetutën për hir të një akti superskandaloz të Edi Ramës, i cili korruptoi kreun e kundërzbulimit të SHBA për hir të karrigeve të tij, për të luftuar opozitën në mënyrën më të pandershme. Ne nuk ndahemi, ju po shkelni Kushtetutën e vendit. Ju bllokoni çdo hetim që kërkohet për Edi Ramën. Por tani kur t’ia nxjerrë Lubia një nga një, çfarë do bëni ju? Ja nesër e rregulluat se i bëtë dy gjyqe në të njëjtën ditë, që të vrasësh me zhurmë njëra-tjetrën, edhe Erioni, edhe Lubia. Mirë këtë e bëtë? Po ç’do bëni ditën tjetër?”, përfundoi Berisha.

Scroll to Top