Ulsi Manja heq xhaketën në Kuvend, Berisha: Veliajn dhe Ballukun i nxorën në të njëjtën ditë
Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka qenë kritik gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë të enjten pasdite, duke akuzuar socialistët për organizimin e dy proceseve gjyqësore në të njëjtën ditë, një për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, dhe një për zv/kryeministren Belinda Balluku, e cila u thirr në SPAK.
“Kur t’ju nxjerrë Lumi një nga një, çfarë do të bëni? Rregulluat dy gjyqe në të njëjtën ditë që t’i vrisni me zhurmë. Ja nesër e rregulluat që të bëni dy gjyqe në të njëjtën ditë, i vratë një e nga një për të bërë zhurmë, po çfarë do bëni nesër, pasnesër?”, – tha Berisha.
Më pas, ai u përfshi në një debat me ish-ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, të cilin e quajti të inkriminuar. Sipas kreut të PD-së, përmes telefonit të Manjës, kryeministri Edi Rama ka kërcënuar prokurorin Dritan Prençi.
“Të ka përdorur telefonin, duke të bërë kokë turku, por sot të mbron Dumani. Por nesër nuk do të mbrojë më. Ku i ke kostumet e Altin Hajnit? Ulëzi, të garantoj se në kërkim do të përfundosh si Altin Hajni”, – tha Berisha, teksa deputeti socialist Ulsi Manja zhveshi xhaketën, duke shkaktuar të qeshura në radhët e deputetëve të PS-së.
“Erdhe? Nga telefoni yt e mori prokurorin Edi Rama? Na thuaj pak? Edhe je i inkriminuar se të ka përdorur telefonin për të kërcënuar gjykatësin, absolutisht po. Të ka përdorur telefonin duke të konsideruar ty si kokë turku. Të mbron Dumani sot, por nuk ka njeri që të mbron nesër. Ato kostumet ku i ke? Ku i ke ato kostumet? Jo, nuk është ky. I ke fshehur ato. I ke hequr ato. Ulu aty. Ku i ke ato të Altin Hajrit? Ku i ke kostumet e Altin Hajrit? Ajo është? Mirë, mbaje! Ato janë? Bravo, mirë, shumë mirë. Ato i paske të Altinit. Ty të ka dhënë dy, jo një. Po, po. Urdhëro? Unë po të them ku i ke kostumet e Altin Hajrit? Të Altin Hajrit ku i ke? Se e nxore, është i lirë Altin Hajri sot. Me atë Dumanin tënd e ke nxjerrë të lirë Altin Hajrin. Po, po, ku e ke çantën ‘Louis Vuitton’? Ku i ke 500 mijë eurot? Ja pra, këto janë. Tani, gjersa ai flet… Pra, Ulsi, të garantoj se në kërkim do përfundosh si Altin Hajri. Dhe nuk ke shpëtim sepse edhe në Vjenë thuhet se shkove ti, pastaj the ka shkuar Etilda. E akuzova unë, tha nuk kam qenë unë, ka qenë Etilda”, – tha Berisha.
Këtyre akuzave iu përgjigj Manja:
“Sali, që të merremi vesh, ty të ka zënë sindroma e Stokholmit dhe nuk rri dot pa mua në këtë seancë. I ke përmend këto kostumet pafund. Unë të sfidoj, çfarë kostumesh vesh Ulsi Manja dhe çfarë vesh Sali Berisha, t’i nxjerrim, sa bën e jotja dhe sa bën e imja. E dyta, ta kam thënë që unë nuk pres të më dal kush e të më shoqërojnë në raportin tim me drejtësinë, atë ditë që do kërkojë një shërbim prej meje do e respektoj. Sa për çantën ‘Louis Vuitton’, kam pyetur ChatGPT nëse ka çantë 500 mijë euro, më ka thënë s’ka, kush ta ka thënë? Sa për kostumet të sfidoj, jam gati të vij aty te ti dhe ta nxjerrim dhe xhaketën dhe ti dhe unë dhe ta çojmë për ekspertim tekstili, se vetëm copa jote bën 2 mijë euro, pa hak pune.”
