Berisha kundër Gjykatës Kushtetuese: Vendim partiak

Titulli origjinal: Berisha: Gjykata Kushtetuese mori vendim partiak ndaj meje për arrestin shtëpiak

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet rreth qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën e arrestit shtëpiak të vendosur ndaj tij. Ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundër tij ishte partiak dhe se pasojat e tij ndihen ende, duke e detyruar të paraqitet pranë SPAK-ut.

Sipas Berishës, ky vendim favorizon Belinda Ballukun dhe persona të tjerë të cilët, sipas tij, do të përfundojnë duke u përballur me Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS-së. Komenti i parë. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajsh paraqitje, në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partiak, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje, por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi, në çdo doktrinë, përveç asaj të partisë së krimit, duhej shfuqizuar.

Çfarë bëri me vendimin që mori? Mori një vendim në favor të Lubisë dhe Lubive të tjera që do të shkojnë aty. Sepse hapi rrugën të shfuqizojë vendime të tjera. Vendimin tim nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është në fuqi, duke pretenduar se ajo merret vetëm me vendimet që janë në fuqi, çka nuk është e vërtetë. Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe kanë pasoja. Nuk është zhdukur. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat, plus pasojat e tjera. Ja pra, besoj se e morët vesh se çfarë përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja,” tha Berisha.

Scroll to Top