Berisha: PD do bëjë çdo përpjekje për anulimin e ligjit për barazinë gjinore
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot se Partia Demokratike do të bëjë çdo përpjekje për anulimin e ligjit për barazinë gjinore.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha u shpreh se PD nuk pajtohet me këtë ligj dhe se do të rikonsiderojë referendumin si dhe çdo masë tjetër të mundshme dhe të nevojshme për anulimin e tij.
Kryedemokrati tha se ky ligj përmbys rendin juridik të shtetit shqiptar, pasi, sipas tij, rrëzon të paktën katër nene të Kushtetutës, Kodin e Familjes dhe Kodin Civil, të cilat përbëjnë bazën juridike të shtetit.
Ai shtoi se kjo përpjekje do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me:
- Çdo shqiptar që e konsideron familjen si të shenjtë.
- Çdo besimtar që i konsideron librat e shenjtë si kodin moral të familjes së tij.
- Çdo prind që, në përputhje me Kushtetutën, dëshiron që fëmija i tij të marrë edukimin fetar të familjes.
Berisha nënvizoi se këto kërkojnë një përgjigje të fuqishme nga qytetarët dhe PD nis këtë betejë me bindjen se, pavarësisht mbështetjes së “këtij narkoshteti”, ai nuk ka legjitimitet.
Ai argumentoi se raporti ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit rrëzoi legjitimitetin e qeverisë aktuale dhe se Shqipëria është rreziku kryesor me eksportin e kriminalitetit në Ballkan dhe Europë. Ai shtoi se kartelët shqiptare të drogës janë sot më të rrezikshmit për Europën.
“Ne e bëjmë këtë betejë jo vetëm për fëmijët tanë dhe veten tonë, por e bëjmë edhe për miqtë tanë dhe partnerët tanë,” përfundoi Berisha.
