Berisha kundër “Paqes Fiskale”: Legalizon Paratë e Drogës

Berisha: PD nuk e mbështet “paqen fiskale”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se PD nuk e mbështet projektin e quajtur “paqe fiskale”, të cilin ai e ka cilësuar si “amnistinë fiskale”. Gjatë një dalje për mediat, Berisha u shpreh se ky propozim legalizon paratë e pista të trafikut të drogës.

“Unë nuk mbështes amnistinë fiskale. PD nuk e mbështet amnistinë në kuadrin ligjor që ka sjellë Edi Rama. Ky është qëndrimi i PD-së,” theksoi ai.

Berisha shtoi se, nëse kjo amnisti do të ndodhë, nuk mund të bëhet dallim mes atyre që kanë shkuar në gjykatë dhe atyre që nuk kanë shkuar. “Unë nuk konceptoj pse mund të përjashtohet ai që ka shkuar në gjykatë me këtë që nuk ka shkuar në gjykatë, për të kërkuar një të drejtë. Nuk mund të jetë kurrë vetëm një kompani. Të garantoj se në gjykatë janë qindra kompani. Por nëse ti fal ata që nuk kanë shkuar në gjykatë dhe nuk fal ata që kanë shkuar, të cilët të paktën pretendojnë se kanë një të drejtë dhe guxojnë ta kërkojnë, ti bën të paktën një pabarazi.”

Ai u shpreh kategorikisht kundër këtij ligji për amnistinë, duke e cilësuar si një mënyrë për të fshehur kanalet e zeza të pastrimit të miliarda eurove nga klanet dhe kartelët e drogës.

“Në pamje të parë, kjo mund të duket se ne jemi kundër flukseve të parave. Jemi, sepse është para toksike, është shkatërrimtare. Është faktuar që këto investime po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.”

Sipas Berishës, mënyra kryesore sesi këto para shkatërrojnë ekonominë është përmes zhvlerësimit të euros. Ai vuri në dukje se nuk ka parë ndonjëherë debate televizive mbi pasojat e tmerrshme të këtij zhvlerësimi mbi ekonominë shqiptare. “Një zhvlerësim i euros me 35% do të thotë humbja minimale me 35% e fitimit të të gjithë kompanive të eksporteve që punojnë me euro. Do të thotë rënie prodhimi në bujqësi e industri dhe rritje e madhe çmimesh. Do të thotë shok ekonomik.”

Ai u referua të dhënave të INSTAT për inflacionin në muajin nëntor, ku u vu re rritja e çmimit të qirave. Berisha e cilësoi paradoksale rritjen e çmimit të qirave në një kohë kur ka qindra mijëra banesa bosh në nivel vendi dhe dhjetëra mijëra në Tiranë. “Si mund të rritet çmimi në kushte normale, kur ka dhjetëra e mijëra banesa të pashitura? Çmimi rritet se tregu është në kthetrat e drogës. Ndaj rritet qiraja, ndaj rritet çmimi. Ndaj bie prodhimi, eksporti, shkatërrohen qindra e mijëra vende pune dhe ikin qytetarët.”

Kryedemokrati theksoi se çështja e narkoshtetit në Shqipëri është themelore dhe “vorbulla e zezë që po i përpin shqiptarët”. Ai shprehu trishtim për faktin se mediat shqiptare nuk reflektojnë me dokumentarë apo hetime pasojat shkatërrimtare të narkoshtetit, ndryshe nga mediat ndërkombëtare.

Duke iu kthyer çështjes së amnistisë, Berisha sqaroi se propozimi i deputetit Bardhi ngrihet kundër pabarazisë që krijon ligji. Ai shtoi se ata që kanë shkuar në gjykata, qofshin publike apo private, kanë pasur kundërshti me shtetin, në masën 90-95%. “Kur ti përjashton ata që nuk i janë adresuar gjykatës dhe përjashton këta që i janë drejtuar gjykatës, të cilët të paktën pretendojnë se u është bërë një padrejtësi, dhe amniston ata që nuk shkojnë në gjykatë, kjo për mua është absurde.”

Në fund, lidhur me deputetin Bozdo, Berisha e përgëzoi atë, duke theksuar se “ato janë të gjitha pasuri publike të shpërndara nga Edi Rama jashtë të gjitha kritereve ligjore, vetëm favore për korrupsion.”

Scroll to Top