Berisha: Moti dhe korrupsioni shkaktojnë efekte shkatërrimtare mbi pronat e mijëra qytetarëve
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me përmbytjet e fundit dhe dëmtimin e rrugëve në vend, duke akuzuar për vjedhje masive në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Në një konferencë për shtyp, Berisha përmendi Rrugën e Kombit, autostradën Levan-Tepelenë dhe disa autostrada të tjera, si dhe ndërhyrjet në rrugën Kardhiq-Delvinë. Sipas tij, këto akse, edhe pse janë ndërtuar me kosto shumë herë më të lartë se sa parashikimi, janë dëmtuar dhe shembur pas pak kohe.
“Moti dhe korrupsioni, duke bashkëvepruan, kanë shkaktuar këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të gjitha anët e vendit. Dëmet janë kolosale, jo vetëm në infrastrukturë, siç mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por edhe në mijëra krerë bagëti, qindra hektarë sera dhe infrastrukturë të vogël fshatrash, të cilat janë rrënuar si asnjëherë më parë. Këto kushte atmosferike dhe këto reshje të mëdha kanë dëshmuar për infrastrukturën fiktive ose inekzistente në vend kundër përmbytjeve. Investimet janë bërë në të gjitha anët e vendit për sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të bllokuara dhe të mbushura. Askush nuk i hap sepse paratë për mirëmbajtjen e tyre thjesht vidhen.
Pamjet e rrugës së sapo-inauguruar Qukës-Qafë Pllocë, rrugës Kardhiq-Delvinë, Rrugës së Arbrit, dhe rrugës Korçë-Ersekë, të gjitha të inauguruara vitin e kaluar ose gjatë këtij viti, janë kthyer virale në Shqipëri dhe në mbarë botën. Këto rrugë, pas një periudhe shumë të shkurtër nga inaugurimi, janë shembur njëra pas tjetrës.
Ndërkohë, skarpatet shumë më problematike dhe më të larta se këto që u shembën, të ndërtuara 15 vite më parë në Rrugën e Kombit, në autostradën Levan-Tepelenë, në autostradën Tepelenë-Gjirokastër dhe në autostrada të tjera të ndërtuara 13-15 vite më parë, nuk kanë lëvizur. Megjithëse ato rrugë janë ndërtuar me një kosto nga 6 deri në 10 herë më të lirë se sa këto që shemben, kemi një vjedhje të tmerrshme, të paimagjinueshme. Edhe pse është shpenzuar 6, 8 apo 10 herë më shumë për kilometër, skarpatet janë lënë pa u përforcuar, duke lejuar rrëshqitjen e tyre. Skarpatet janë pjesë thelbësore, ndonjëherë edhe më të rëndësishme se vetë trasa e rrugës. Ju kujtoj se përforcimi i skarpateve të rrugës Tepelenë-Gjirokastër, një zonë gjeologjikisht më e butë dhe më e prirur për rrëshqitje, ka marrë dy vite kohë, por ato nuk kanë lëvizur sepse paratë e taksapaguesve nuk janë vjedhur”, tha Berisha.
