Takimi i Lulzim Bashës me fituesit e primareve, Sali Berisha: Takimet në kafe nuk meritojnë komente, PD është partia më e hapur dhe demokratike për çdo lloj mendimi
Botuar më 28.11.2025 nga shekulli_admin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar takimin e zhvilluar dje nga një sërë eksponentësh të Partisë Demokratike.
Berisha u shpreh se, normalisht, takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen, por theksoi se PD mbetet partia më e hapur dhe demokratike e vendit.
“Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them,” – deklaroi ai.
Ai shtoi se procesi i analizës së brendshme ka nisur dhe janë bërë të gjitha udhëzimet. Sipas tij, ky takim nuk përbën asnjë lajm dhe risi, duke shtuar se mediat e përdorin këtë ngjarje për të mbuluar “superskandalet e Ramës dhe Lubisë”.
“Diversitet mendimi në këtë parti ka pasur dhe do të ketë. Unë i shqetësuar? Jo. Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD, dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti,” – vijoi Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se të gjithë anëtarët kanë instancat ku mund të shprehin mendimet e tyre. “Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre. Unë pres çdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre të gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu, të jem i sinqertë,” – përfundoi Berisha për mediat.
