Berisha: PD ripërtëritet, lista dinjitoze, integrim BE

Berisha: Lista më dinjitoze e kandidatëve, PD do të ketë një organizim më të fuqishëm. Do të ketë ripërtëritje nga seksioni, deri në majë

Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Sali Berisha theksoi nevojën e partisë për ripërtëritje dhe vëmendjen që do t’u kushtohet të rinjve dhe grave.

“Ne do të përdorim teknologjinë për transparencë maksimale dhe për t’i dhënë fund ikjes së të rinjve nga Shqipëria,” tha Berisha, duke shtuar se PD ka nevojë për një riorganizim të plotë për t’u ripërtërirë. Ai përmendi një platformë të detajuar të përgatitur nga një Institut Amerikan për ripërtëritjen, të cilën PD do ta respektojë.

“Në këtë ripërtëritje ne do të hapim partinë në të gjitha nivelet, duke njohur defektet dhe problemet tona. Duhet të ridimensionojmë menjëherë rolin e të rinjve dhe grave në parti. Të rinjtë janë gjëja më e çmuar e PD. Gratë janë shumica, jo vetëm numerike, por edhe intelektuale e kombit sot. Është një potencial i jashtëzakonshëm për tu vënë në shërbim të shoqërisë,” vijoi ai.

Berisha theksoi se PD ka qenë dhe mbetet lokomotivë e proceseve integruese. Ai shtoi se raportet e IBAR dhe të Parlamentit Europian ngritën çështje që janë denoncuar nga PD. “Ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai është ylli polar ynë. Ky integrim duhet të bazohet para së gjithash në meritë. Nga vendet që kërkojnë integrim nuk kërkohen ligje dhe kërkesa që cënojnë qytetarët,” tha Berisha.

Pas hedhjes së votës për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari Berisha foli për gazetarët, duke vënë theksin te ripërtëritja e partisë.

“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi. Janë ndër listat më dinjitozë,” u shpreh ai. “Ripërtëritje do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm. Do të ketë ripërtëritje nga seksioni, deri në majë. Unë do të propozoj emra të rinj, më pas i përcakton vota,” shtoi Berisha.

Në fjalën përmbyllëse në Kuvendin Kombëtar, Berisha u ndal te ripërtëritja e partisë, duke e cilësuar “kilometri i fundit” si fazën më të rëndësishme dhe më frymëzuese.

“Kilometri i fundit nuk është një kilometër i lehtë. Në maratonë të gjithë e dinë se cila është pesha e kilometrit të fundit. Por nuk ka kilometër më frymëzues se ai. Kur ke arritur aty, bota duket e jotja,” tha Berisha. Ai theksoi se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të ndërmarrë një seri nismash për të çuar në ligje kërkesat e raporteve të Parlamentit Europian dhe ODIHR-it, në përputhje me interesat e opinionit publik shqiptar.

Ai shtoi se opozita ka luajtur një rol kyç në evidentimin e problematikave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe se PD do të mbetet e palëkundur në mbështetjen e integrimit europian.

“Ne qëndrojmë gardianë, ne qëndrojmë të pamposhtur në përpjekjen tonë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ylli ynë polar është integrimi europian i Shqipërisë. Ky integrim, megjithëse ka një peshë të madhe gjeopolitike, duhet të bazohet para së gjithash në meritë,” theksoi Berisha.

Ai kritikoi kërkesat që cënojnë interesat e qytetarëve, duke theksuar se integrimi duhet të sjellë më shumë liri dhe begati. Ai përmendi rastin e Himarës dhe denigrimin ndaj Fredi Belerit, duke theksuar se integriteti dhe respekti për individët janë thelbësore.

“Do ta shtojmë në çështje, e kemi pasur yll polar, dhe ju garantoj se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike me përkushtim të madh do të ndërmarrë një seri nismash, me të cilat do të çojnë në ligje të gjitha kërkesat e raporteve të Parlamentit Europian dhe ODIHR-it, në përputhje me interesat e opinionit publik shqiptar,” u zotua ai.

Në fund, Berisha u bëri thirrje delegatëve të Kuvendit të marrin mesazhin kryesor: “Ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje!”

“Ky mesazh mbart në vete shpresën e pashuar të shqiptarëve. Shpresa është forcë, forca është shpresë! Rrofshi ju, rroftë Partia Demokratike, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!” përfundoi ai.

Scroll to Top