Berisha: Rama pengon inspektorët e KLSH për auditim
Kryedemokrati Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon inspektorët e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të kryejnë auditimin ndaj tij dhe institucioneve që ai drejton.
Gjatë një deklarate jashtë Kuvendit, Berisha theksoi se Rama nuk lejon auditimin shtetëror sepse nga ky proces do të nxirrnin në pah pasoja të rënda, lidhur me keqpërdorime dhe shpenzime të dyshimta të fondeve publike.
“A e dëgjuat dje kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që tha se Edi Rama nuk më lejon inspektorët për ta audituar? A mund të ndodhë në ndonjë vend të botës që kryeministri të mos pranojë auditin e shtetit? Të kujt i ka paratë ai që nuk pranon të auditohet, të tijat apo të taksapaguesve? Kontrolli nuk është i qeverisë, kontrolli është i shtetit dhe ai ka detyrë dhe tagër të kontrollojë, të auditojë çdo institucion sipas programit. Dhe del që jo vetëm nuk pranon të auditohet… natyrisht nuk ka se po të auditohet, dalin 22 milionë euro. Po të auditohet dalin me qindra kuintalë valixhe diplomatike të mbushura… e dini vetë me çfarë kanë qenë të mbushura me Ismailin e tij. Po të auditohet dalin shishet 33 mijë euro Romanee Conti. Po të auditohet dalin gjëra të frikshme që nuk i dëgjon kund. Ndaj dhe ai refuzon. Ai merr përsipër të refuzojë auditin, në një anë kërcënon prokurorin, në anën tjetër ai refuzon auditin e shtetit. Kjo është situata, ky është një shtet i zhytur në veprimtari të paligjshme, në të cilin shteti ligjor nuk funksionon, është zëvendësuar me këtë lloj organizimi”, tha Berisha.
