“`html
Motivet: Pse Berisha dhe Rama do përplasen në gjykatë
Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK për favorizim të dhëndrit të tij gjatë kohës kur ishte kryeministër, duke kthyer një teren sportiv në truall për ndërtim, duket se pretendon se dokumentat implikojnë edhe Edi Ramën.
“Të bëhet burrë dhe të vijë të përballet në gjykatë”, ka deklaruar Sali Berisha, duke dalë nga parlamenti, një ditë pasi Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e avokatëve të tij mbrojtës që Edi Rama të thirret si dëshmitar në procesin kundër tij për dosjen “Partizani”.
Një ditë më parë, ndryshe nga SPAK që kishte hezituar ta pyesë Ramën lidhur me transformimin e një tereni sportiv në truall ndërtimi, gjykata vendosi të pranojë kërkesën që edhe ai të dëgjohet për të zbardhur çështjen.
“Do jemi ballëpërballë dhe thojini të bëhet burrë, të mos kërkojë seancë pa media, por të kërkojë mediat aty dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë dhe çfarë aktesh korruptive ka kryer ai duke ndryshuar destinacion, pa asnjë kërkesë nga pronarët”, tha Berisha këtë të enjte para gazetarëve.
Ky duel i pritshëm para GJKKO-së ka rrënjë rreth dy dekada më parë. Kur SPAK publikoi dosjen prej 500 faqesh, me të cilën argumentonte nevojën për të marrë Sali Berishën si të pandehur, duke e akuzuar se kishte shfrytëzuar pozitën e kryeministrit për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, duke e hequr nga lista e terreneve sportive truallin ku ky i fundit ishte një nga pronarët.
“Sapo Berisha erdhi në pushtet, pronarët me në krye Jamarbër Malltezin u organizuan dhe aplikuan menjëherë për privatizimin e Kompleksit Partizani, që ishte ndërtuar mbi tokën e 5 familjeve, një nga të cilat familja Begeja, për të cilën dhëndri i Kryeministrit është një nga trashëgimtarët”, pretendon akuza. Kjo pikë duket të jetë dhe thelbi i përplasjes mes Ramës dhe Berishës, lidhur me nxjerrjen nga lista e objekteve sportive.
Vendimi i firmosur nga Sali Berisha, në cilësinë e kryetarit të KRRTSH-së, më 21 Nëntor 2006, miratoi ndryshimin e planit rregullues të Tiranës, duke përfshirë zonën në Rrugën “Frosina Plaku” nga “zonë sportive” në “zonë banimi”.
Megjithatë, avokatët e Berishës paraqesin një version tjetër të ngjarjeve. Ata pranojnë vendimin e nëntorit 2006, por theksojnë se atij i ka paraprirë një vendim i ish-kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama. Sipas tyre, Këshilli Bashkiak i drejtuar nga Rama e ndryshoi i pari destinacionin, madje pa pritur një kërkesë nga pronarët. Ata shtojnë se Rama veproi me urgjencë, brenda tre javësh, ndërsa dosja në zyrën e Berishës si shef i Këshillit Kombëtar të Territorit u vonua shtatë muaj.
Ata argumentojnë se, njëlloj si me klubin Partizani, Berisha veproi me të gjitha ndryshimet që vinin nga Bashkia Tiranë, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për mbikalimin e Zogut të Zi, i cili detyronte pushtetin qendror të njihte pavarësinë e atij lokal.
Këto argumente nuk u morën parasysh në aktakuzën e SPAK, ku, megjithëse përmendej vendimi i Bashkisë Tiranë, Edi Rama nuk ishte përmendur as me emër. Aty thuhej thjesht se, “me vendimin nr. 132, datë 08.06.2006 të Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, nga Bashkia Tiranë, u vendos që të ndryshohet destinacioni, duke e kthyer në zonë banimi, territorin që i përkiste klubit sportiv Partizani”.
SPAK as nuk e thirri Edi Ramën për pyetje në lidhje me këtë çështje, ashtu siç hezitoi të vepronte edhe për dosje të tjera të rëndësishme, si ato të inceneratorëve apo koncesioneve në shëndetësi.
Fakti që Rama, pavarësisht rolit protagonist, nuk përmendej dhe nuk u thirr për të dëshmuar, u kthye në pikën kyçe të luftës së Berishës kundër hetimit të njëanshëm të prokurorisë speciale, duke ngritur dyshime për integritetin e prokurorëve.
Megjithatë, ajo që nuk arriti të bënte SPAK, duket se e ka vendosur GJKKO. Ajo i dha të drejtë kërkesave të Berishës dhe Malltezit, duke pranuar kërkesën që Edi Rama të pyetet si dëshmitar në sallën e gjyqit. Kjo i jep liderit të opozitës mundësinë t’i hedhë rivalit të tij sfidën: “të kërkojë mediat aty dhe të vijnë të shohin shqiptarët se cili është Edi Rama në atë aferë”.
Dosja “Partizani”, pjesë e së cilës është edhe ky episod, kaloi për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuza për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
“`
