“`html
Korreshi: Pse jeni kaq të pakujdesshëm/ Zbardh listën e ilaçeve që mungojnë në spitalin e Lushnjes
Deputeti demokrat Saimir Korreshi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Ministrisë së Shëndetësisë, pas akuzave të tij lidhur me mungesën e infrastrukturës dhe medikamenteve në spitalin e Lushnjes. Në një reagim të tij në Facebook, Korreshi ka renditur një sërë medikamentesh që mungojnë në spital, duke theksuar se një pjesë e tyre pacientët detyrohen t’i blejnë vetë, pasi spitali nuk i ofron.
REAGIMI I PLOTË:
Ministria e Shëndetësisë paska reaguar! O Zot!! Po si mund të jeni kaq të pakujdesshëm.
Mungojnë këto medikamente:
- Paracetamoli intravenoz (për temperaturë të lartë, dhimbje). Ndjehet më shumë mungesa në urgjencën e të rriturve dhe pediatrinë.
- Omeprazoli intravenoz (për dhimbje stomaku).
- Tramadol ampulë (për dhimbje).
- Diklofenak ampulë (për dhimbje).
- Buskopan ampulë (për dhimbje barku).
- Prometazinë ampulë (për alergji).
- Amiodaronë ampulë (për rrahje të larta zemre).
- Vigonat (mungojnë disa herë gjatë vitit, shumicën e kohës në pediatri).
- Serumet ringer (mungojnë shumicën e kohës në repartin e materniteti dhe urgjencën e të rriturve).
- Antibiotiku levofloksacinë intravenoz (mungon shumicën e kohës në repartin e kirurgjisë, infektiv).
- Antibiotiku amikacinë (mungon shumicën e kohës në repartin e pediatrisë).
- Antibiotiku ceftriakson intravenoz (mungon aktualisht në pediatri). Fëmijët e shtruar që e kanë terapi në mjekim duhet ta blejnë sepse spitali nuk ua mundëson. Shpesh herë del mungesë dhe i detyrojnë mjekët të bëjnë terapi me antibiotikë të tjerë, kur realisht u duhet ky lloj. Mungon edhe në pavionin e infektivit, ku është i domosdoshëm për trajtimin e shumë diagnozave të ndryshme.
Për të tjerat, nesër në spital takohemi.
“`
