Berisha: Rrëzimi i Maduros është lajm i mirë edhe për shqiptarët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në daljen e tij të parë publike për vitin 2026, komentoi zhvillimet në Venezuelë pas sulmeve të SHBA-së në Karakas dhe arrestimit të presidentit Maduro.
“Forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e SHBA morën vendimin e tyre për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros, dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar. Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanërisht për popullin e Venezuelës që vuajti kaq vite nën regjimin e tij. Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilin mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur ‘Ramaduro’.”
Berisha shtoi se zhvillimet në Venezuelë janë një inkurajim i madh për opozitën shqiptare për të punuar për largimin sa më të shpejtë nga pushteti të atij që e cilësoi si një person dhe diktator që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet me krimin dhe drogën, si dhe vjedhjet e shqiptarëve.
Gjatë deklaratës, ai përmendi gjithashtu popullin iranian, duke u shprehur se ky i fundit është në rrugë kundër regjimit të ajatollahëve, me qytete të tëra të përfshira nga protesta të fuqishme. Ai uroi që Ajatollahu dhe suita e tij të kenë sa më shpejt fatin e Maduros.
