Berisha: Jemi komb në zhdukje! 700 mijë të rinj ikën në 10 vite
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në foltoren e radhës me demokratët, e mbajtur këtë herë në degën e partisë në njësinë numër 4 në Tiranë, theksoi shifrat alarmante të largimit të shqiptarëve gjatë viteve të qeverisjes socialiste të Edi Ramës.
Berisha u shpreh se Shqipëria ndodhet në një “diktaturë të bandave”, duke e cilësuar këtë si format më të rrezikshme të qeverisjes.
“Vij sot te ju në një moment jashtëzakonisht të veçantë për PD, opozitën, por edhe për vendin. Vij në një moment kur PD dhe opozita ndodhet para provës më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Para provës së përmbushjes së misionit të saj, shpëtimit të Shqipërisë nga një regjim që është një regjim diktatorial,” tha ai.
Sipas tij, ky regjim nuk është totalitar në kuptimin klasik, por “e pranon pluralizmin por e shtyp atë”.
“Në të dy rastet pushteti është në duart e një njeriu. Kush i ka studiuar ka gjetur se më e keqja e të gjitha formave është jo ajo që e mbush vendin me burgje, kampe. Por ajo e diktaturës së bandave. Nuk ka asnjë rregull, asnjë ligj. Nuk respekton asnjë normë. Asnjë standard. Ajo vërtetë në dallim nga e para nuk ekzekuton, por kjo ekzekuton shpresën. Largon njerëzit sa asgjë tjetër nga Shqipëria dhe vendi.”
Duke cituar shifra, Berisha tha se nga viti 2014 deri në 2023, vetëm në zonën Shengen kanë emigruar 1 milion e 100 mijë shqiptarë, nga të cilët 700 mijë janë të rinj.
“Rriten në Shqipëri, por ëndrrën shqiptare nuk e ndërtojnë në Shqipëri. Dhe ne pakësohemi, pakësohemi. Në atë shkallë saqë të gjithë, nga OKB dhe çdo tjetër, i shohin shqiptarët si një komb në zhdukje. Që sot kanë lindur atë numër fëmijësh që lindte 100 vite më parë,” përfundoi ai.
