Berisha sulmon ambasadorin e BE-së, Gonzato: Ambasador i Ramës

Berisha sulmon Gonzaton: Sillet sikur të ishte ambasador i Ramës

Pas sulmeve ndaj mediave dhe gazetarëve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka kursyer as ambasadorin e BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato. Në Ditën e Europës, më 9 Maj, Berisha deklaroi se Gonzato sillet sikur të ishte ambasador i kryeministrit Edi Rama.

Kreu i PD-së akuzoi ambasadorin Gonzato se ka dërguar në Bruksel “trillime”, sipas tij, duke pretenduar se opozita nuk e mbështet integrimin e vendit në BE.

“Përsa i përket ambasadorit aktual, unë kam shprehur, ky sillet si me qenë ambasador i Edi Ramës. Mbase, ky zotëri, në mënyrë të vërtetuar, ka transmetuar në Bruksel trillimet më të pavërteta ndaj opozitës. Sikur opozita nuk është për integrimin,” tha Berisha.

Ai shtoi se kur diskutohet nga eurodeputeti Coelho çështja e heqjes së imunitetit të ish-ministrit Luan Balluku, ambasadori Gonzato ka deklaruar se “ky është interpretimi shqiptar i imunitetit”.

Në vijim të fjalës së tij, Sali Berisha uroi Ditën e Europës, por theksoi se Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq të rrezikshëm të historisë së saj”, duke e konsideruar si një “udhëkryq të shkatërrimit të ëndrrës europiane”. Ai foli për zëvendësimin e vlerave, standardeve dhe normave europiane me ato të “narkoshtetit” dhe pushtetin absolut të Edi Ramës, si dhe për humbjen e ëndrrës europiane nga të rinjtë shqiptarë, me 720,000 të rinj që janë larguar nga vendi.

Berisha theksoi se Edi Rama e ka bazuar procesin e integrimit të Shqipërisë në “lobim korruptiv”. Ai përmendi rastin e ish-përfaqësueses së BE-së, Romana Vlahutin, duke pretenduar se raportet për në Komisionin Europian shkruheshin në zyrat e Ramës dhe firmoseshin prej saj.

Duke iu kthyer ambasadorit aktual, Gonzato, Berisha përsëriti akuzën se ai sillet si ambasador i Edi Ramës dhe transmeton informacione të pavërteta në Bruksel për opozitën.

“Në një kohë kur, në vitin 2009, 2010, 2011, sa herë ka kërkuar Prokurori i Përgjithshëm janë hequr imunitetet pa asnjë koment, zv/kryeministër, ministra me radhë. Por ne jemi ata që i themi gjërat haptas, dhe ai është përpjekur në shumë mënyra të paraqesë opozitën si jo të orientuar drejt integrimit. Po ka dështuar. Eksponentë të rëndësishëm të Bashkimit Europian ia kanë bërë të qartë në prani të të tjerëve se opozita, se Partia Demokratike është thellësisht e orientuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe është partneri ynë, i është thënë shkëlqesisë së tij,” deklaroi Berisha, duke shtuar se ambasadori Gonzato “është unifikuar komplet me Edi Ramën”.

Ai përfundoi duke u shprehur se do t’u thotë shqiptarëve dhe partnerëve europianë “të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”.

Scroll to Top