Bllokimi i imunitetit të Ballukut/ Berisha: Të premten, tryeza e frontit opozitar
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje drejtuar të gjitha forcave politike dhe faktorëve me ndikim në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim të premten.
Sipas tij, vendimi për të mos hequr imunitetin e Belinda Ballukut dhe për të mbrojtur Mirlinda Karçanajn, e cila akuzohet për abuzime me Ergys Agasin në favor të familjes Rama, përbën një thirrje të fortë për shqiptarët që të ngrihen në revoltë.
Berisha deklaroi se shqiptarët duhet të protestojnë për t’i dhënë atij që e quan ‘narko-diktatori’ i tyre, fundin e turpshëm që pati narko-diktatori i Venezuelës, duke iu referuar Nicolás Maduro.
“Opozita, pa asnjë diskutim, do të organizojë protesta shumë të fuqishme. Opozita fton të premten një tryezë me të gjitha forcat politike dhe faktorët me ndikim në shoqërinë shqiptare, me qëllim krijimin e një bashkërendimi, një fronti të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për ndërmarrjen e të gjitha lëvizjeve, protestave, demonstratave dhe revoltave të nevojshme për largimin e tij sa më parë.
Për opozitën, bllokimi nga Edi Rama i heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, mbrojtja e Mirlinda Karçanajt, e njohur për abuzimet e mëdha me Ergys Agasin në favor të familjes Rama, janë një thirrje e madhe për shqiptarët të ngrihen në revoltë për t’i dhënë ‘narko-diktatorit’ të tyre atë fund të turpshëm që pati narko-diktatori i Venezuelës,” tha Berisha.
