BERZH: Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë nga emigracioni
Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e vendeve post-komuniste për nga niveli i lartë i emigracionit të popullsisë që nga viti 1990, sipas raportit të Tranzicionit 2025–26 të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me titull: “Një botë e vjetër, por më e guximshme”.
Një grafik i publikuar në raport tregon qartë se Shqipëria ka humbur rreth 40% të popullsisë së saj të vitit 1990 gjatë periudhës 1990-2023, vetëm si pasojë e emigracionit neto. Ky është niveli i dytë më i lartë në Europë dhe në mesin e ekonomive të BERZH.
Nga ana tjetër, shtesa natyrore e popullsisë ka qenë pozitive për pjesën më të madhe të kësaj periudhe, duke kompensuar rreth 27% të popullsisë së vitit 1990. Ky faktor ka zbutur disi goditjen, por jo aq sa për të neutralizuar plotësisht flukset e largimit.
Edhe Kosova ka përjetuar një humbje prej 50% të popullsisë së saj të vitit 1990 gjatë së njëjtës periudhë, duke u renditur e para në Europë. Megjithatë, Kosova ka pasur një shtesë natyrore më të lartë se Shqipëria, rreth 40%.
Raporti thekson se ky boshllëk demografik ka një ndikim të dukshëm në frenimin e ekonomisë shqiptare.
Një grafik i dytë nga BERZH, që mat për herë të parë ndikimin vjetor të demografisë në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për frymë, tregon se kontributi i popullsisë për Shqipërinë ka qenë negativ gjatë viteve 2000–2023, duke sjellë një humbje prej rreth -0.2 pikë përqindje rritjeje çdo vit.
Për periudhën 2024–2050, ky ndikim pritet të thellohet në -0.3 deri -0.4 pikë përqindje në vit. Kjo e pozicionon Shqipërinë si një nga ekonomitë më të prekura në gjithë rajonin e BERZH.
Edhe në horizontin afatgjatë 2050–2100, sinjali mbetet negativ, duke treguar se plakja e popullsisë dhe zvogëlimi i forcës së punës do të vazhdojnë të ndikojnë negativisht ekonominë edhe në dekadat e ardhshme.
Mungesa e fuqisë punëtore, rritja e numrit të të moshuarve dhe dobësimi i bazës së kontribuuesve në skemat sociale po i nënshtrojnë ekonominë shqiptare një presioni të vazhdueshëm.
BERZH paralajmëron se pa rritje të produktivitetit, investime teknologjike dhe politika efektive për frenimin e humbjes së kapitalit njerëzor, vendet që përjetojnë emigrim masiv, si Shqipëria dhe Kosova, do të përballen me një rënie të potencialit të tyre afatgjatë të rritjes.
Raporti shton se ky model tashmë ka pasoja të dukshme në tregun e punës, investimet, produktivitetin dhe stabilitetin fiskal. Sipas BERZH, Shqipëria dhe Kosova janë ndër ekonomitë më të ekspozuara në të gjithë rajonin.
Edhe nëse rritja ekonomike mbetet pozitive, ritmi i saj potencial do të jetë dukshëm më i ulët krahasuar me vendet me popullsi në rritje, si Turqia, Egjipti apo vendet e Azisë Qendrore.
Raporti sugjeron se në mungesë të rritjes së produktivitetit, investimeve teknologjike, rritjes së kapitalit njerëzor dhe përmirësimit të klimës së biznesit, emigracioni masiv do të vazhdojë të frenojë rritjen ekonomike për të paktën edhe tre dekada. (Burimi: Monitor.al)
