Ernest Muçi nuk do të kthehet te Beshiktashi. Zbulohet kërkesa absurde e klubit turk për stërvitje në orën 4 të mëngjesit.
Ernest Muçi ka pasur vështirësi në përshtatjen te klubi i Beshiktashit. Pas largimit nga Stambolli, ai ka nisur të shkëlqejë sërish në kampionat, duke shënuar dhe asistuar te Trabzonspori. Dëshira e sulmuesit shqiptar për t’u kthyer te Beshiktashi me siguri do të zvoglohet edhe më shumë pasi ka mësuar për veprimet e fundit të klubit që zotëron kartonin e tij.
Në mediat turke është bërë publike përplasja e hapur mes Beshiktashit dhe portugezit Rafa Silva. Pavarësisht se Silva ishte kthyer në yllin e skuadrës sezonin e kaluar me 18 gola dhe 12 asiste, tashmë ai e sheh veten jashtë projektit të klubit me trajnerin Sergen Yalçin. Beshiktashi po bën çmos për të prishur kontratën e tij dhe në mediat turke janë zbuluar detaje për mënyrën se si po trajtohet futbollisti 32-vjeçar me kërkesa nga më absurdet.
Një nga këto kërkesa ishte që ai të stërvitej në orën 4 të mëngjesit, si pjesë e regjimit të ri stërvitor për ta kthyer në formë. Lojtari ka refuzuar këtë kërkesë dhe i është drejtuar FIFA-s, ndërsa pala turke akuzon atë për shkelje të kushteve kontraktuale pasi nuk zbaton vendimet e stafit teknik.
Situata do të shqyrtohet nga organet ndërkombëtare, por për momentin Beshiktashi ka ndërmarrë hapin e radhës duke e përjashtuar atë nga lista e fazës përgatitore për pjesën e dytë të sezonit.
