BIRN: Imuniteti i zv. kryeministres sfidon raportin e Ramës me drejtësinë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Prokuroria e Posaçme kërkon autorizimin e Kuvendit për të marrë masë arresti ndaj zv. kryeministres. Sipas analistëve politikë, një rrëzim i kësaj kërkese nga mazhoranca do të ishte “një shpallje lufte” ndaj institucioneve të drejtësisë.
Drejtuesi në detyrë i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, i ka kërkuar të martën Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për arrestimin e zv. kryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për paracaktimin e një sërë tenderash me vlerë qindra milionë euro. Kërkesa e SPAK synon të forcojë masat ndaj Ballukut, duke kaluar nga ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi i ushtrimit të detyrës, në arrest me burg ose arrest shtëpie.
Pasi ka fituar një betejë të debatueshme në Gjykatën Kushtetuese, kryeministri Edi Rama po përballet tani me sfidën e ruajtjes së marrëdhënieve mes mazhorancës së tij dhe sistemit të drejtësisë. Në një koment të shpejtë në rrjetin X, Rama iu referua asaj që ai e quajti “arrest pa gjyq” dhe “modë e vrazhdë” e paraburgimeve në Shqipëri, duke nënkuptuar një qasje të ndryshme për këtë rast. Ai deklaroi: “…këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.”
Opozita reagoi menjëherë, duke akuzuar kryeministrin se, duke mbrojtur Ballukun, po i shpall luftë institucioneve të drejtësisë. Deputetja demokrate Jorida Tabaku komentoi: “Një vend demokratik nuk i bën presion drejtësisë duke paralajmëruar përdorimin e forcës së kartonave për të shkelur barazinë para ligjit. Çdo votë kundër drejtësisë, është votë pro vjedhjes.”
Kuvendi nuk ka bërë asnjë njoftim publik për kërkesën e SPAK, por BIRN ka mësuar se deputetët janë njoftuar për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e cila do të zhvillohet të premten, më 19 dhjetor. Sipas rregullores së Kuvendit, ky Këshill do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe do t’i japë mundësinë znj. Balluku të paraqesë mbrojtjen e saj. Më pas, një raport i Këshillit të Mandateve, që sugjeron Kuvendin të votojë pro ose kundër kërkesës së prokurorisë, do të hidhet në votim në seancë plenare. Ky proces duhet të përfundojë brenda dy javësh. Megjithatë, rregullorja parashikon edhe që nëse Kuvendi nuk vendos brenda 3 muajsh, kërkesa e prokurorisë konsiderohet e rrëzuar.
Mazhoranca e kryeministrit Edi Rama ka pasur qëndrime të ndryshme ndaj kërkesave të mëparshme të Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Në vitin 2018, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohej për implikim në trafikun e drogës. Tahiri më pas dha dorëheqjen dhe u dënua për shpërdorim detyre.
Ndryshe nga rasti i Tahirit, mazhoranca ka pranuar pa hezitim kërkesat e SPAK për heqjen e imunitetit ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe deputetëve socialistë, Alqi Bllako dhe Jurgis Çyrbja.
Juristët theksojnë se, pavarësisht forcës së mazhorancës dhe hapësirave ligjore, Kushtetuta dhe parimet e shtetit të së drejtës kërkojnë që veprimet e Kuvendit të mos pengojnë drejtësinë. Avokati Gentian Serjani i tha BIRN se procedura për shqyrtimin e kërkesës për arrestimin e një deputeti është parashikuar në nenin 118 të Rregullores së Kuvendit, por kjo mund të keqpërdoret politikisht nga mazhoranca.
“Ekziston rreziku real që mazhoranca parlamentare, nën ndikimin politik të Kryeministrit Rama, të mos votojë pro, ose të shfrytëzojë afatin tre-mujor të parashikuar në Rregulloren e Kuvendit për të mos marrë asnjë vendim, duke sjellë rrëzimin automatik të kërkesës dhe, për rrjedhojë, mosheqjen e imunitetit të Ballukut,” tha Serjani. Ai shtoi se një veprim i tillë, edhe nëse mbështetet formalisht në Rregullore, “përbën shkelje të frymës së Kushtetutës, cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe minon funksionimin e drejtësisë penale.”
Serjani sugjeron se nëse Kuvendi do të përdorë këtë “klauzolë”, kjo do të binte ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ai thekson se Kushtetuta garanton barazinë para ligjit dhe se “imuniteti nuk mund të shndërrohet në instrument mbrojtjeje politike apo personale nga ndjekja penale, pasi një praktikë e tillë do të cenonte besimin e publikut në drejtësi dhe në institucionet përfaqësuese.”
Reforma në Drejtësi, e votuar në vitin 2016 me konsensus të gjerë, është përdorur shpesh nga kryeministri Rama si argument fushatë. Ai ka premtuar se Partia Socialiste nuk do të bëhet mburojë politike përballë hetimeve të SPAK dhe se çdo i akuzuar do të përballet personalisht me drejtësinë, por këto premtime duket se nuk përfshijnë Belinda Ballukun.
Balluku është zyrtarja më e lartë e qeverisë që përballet me akuza nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera me vlerë qindra milionë euro. Ajo vijon të qëndrojë në detyrë, ndërsa kryeministri ka marrë përsipër mbrojtjen e saj juridike dhe publike. Kërkesa për arrestimin e saj vjen vetëm disa ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë të kryeministrit Rama, për pezullimin e efekteve të vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra.
Nëse Rama vendos të rrëzojë kërkesën e SPAK, analistët politikë e konsiderojnë këtë si një “shpallje të hapur lufte për drejtësinë”. Pedagogu i Shkencave Politike, Ermal Hasimja, i tha BIRN se nëse mazhoranca mbron Ballukun, Rama do të përballet me “përplasjen me drejtësinë dhe ndërkombëtarët si sponsorë të saj.” Ai shtoi se refuzimi i heqjes së imunitetit do ta vendosë Ramën hapur në konfrontim me drejtësinë, duke e konsideruar këtë si një pikë të rrezikshme për institucionet.
Rigels Xhemollari, drejtor i organizatës “Qendresa Qytetare”, mendon se ky moment do të tregojë nëse Rama do të hyjë në përplasje me drejtësinë dhe do të rrezikojë reformën në drejtësi. Ai theksoi: “Nga pikëpamja politike, nëse Rama vendos 83 mandatet në mbrojtje të Ballukut, kundër interesit publik, ky do të jetë edhe fundi politik i qeverisë së tij, pasi mendoj se SPAK ka prova të mjaftueshme që qytetarët janë vjedhur nga veprimet e zv.kryeministres.”
Megjithëse Xhemollari nuk beson se kryeministri do ta refuzojë kërkesën e SPAK, ai parashikon një ndryshim në retorikën dhe qasjen ndaj drejtësisë. Ai gjithashtu nënvizon mbështetjen e fortë politike dhe teknike që ShBA i ofrojnë Prokurorisë së Posaçme, gjë që vështirëson mbrojtjen e çdo politikani shqiptar të akuzuar për korrupsion.
