Bisedimet SHBA-Iran ngecin: Programi bërthamor dhe sanksionet në fokus
Pengesa të reja duket se po shfaqen në negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke shtyrë përkohësisht mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Pavarësisht optimizmit fillestar, bisedimet janë stakuar në çështje kritike, ku pikat kryesore të mosmarrëveshjeve janë programi bërthamor i Iranit dhe korniza e sanksioneve amerikane.
Sipas raportimeve nga The Wall Street Journal, burime diplomatike konfirmojnë se kontaktet vazhdojnë, por asnjëra palë nuk tregon gatishmëri për të bërë lëshime thelbësore. Donald Trump ka theksuar se nuk do të nxiton për një marrëveshje nëse ajo nuk i shërben interesave amerikane, duke kërkuar ose një “marrëveshje thelbësore dhe të fortë” ose asnjë marrëveshje fare.
Fillimisht, dy vendet po shqyrtojnë një memorandum mirëkuptimi, i cili mund të shërbejë si bazë për uljen e tensioneve dhe rivendosjen e lundrimit të qetë në Ngushticën e Hormuzit brenda 30 ditëve. Në një fazë të mëvonshme, negociatat pritet të përqendrohen te programi bërthamor iranian dhe heqja graduale e sanksioneve amerikane.
Presioni për një marrëveshje mbetet i fortë nga të dyja palët. Uashingtoni kërkon të kufizojë ndikimin e krizës në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe në skenën politike të brendshme. Ndërkohë, Teherani synon lehtësim ekonomik nga efektet e sanksioneve dhe stabilitet rajonal.
Çështja e rezervave të uraniumit të pasuruar ka fituar gjithashtu rëndësi të veçantë në negociata. Irani duket i gatshëm të transferojë një pjesë të rezervave jashtë vendit, me kusht që ato të dërgohen në Kinë dhe të shoqërohen me garanci nga Pekini. Njëkohësisht, vazhdojnë kontaktet mes zyrtarëve iranianë, kinezë dhe pakistanezë për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike.
Sipas informacioneve nga CBS News, projekt-memorandumi përfshin:
- Zgjatja e armëpushimit ekzistues për 60 ditë.
- Rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lundrimit brenda 30 ditëve.
- Angazhimi i SHBA-ve dhe Iranit për ndërprerjen e operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.
- Konfirmimi nga Irani se nuk do të zhvillojë armë bërthamore.
- Krijimi i një mekanizmi të përbashkët për menaxhimin e rezervave të uraniumit të pasuruar.
- Heqje graduale e kufizimeve dhe adresimi i çështjes së aseteve të ngrira iraniane, në varësi të përmbushjes së detyrimeve nga Teherani.
Al Arabiya raportoi gjithashtu se draft-marrëveshja parashikon rivendosjen e plotë të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i saj. Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane konfirmoi pikat kryesore të planit për CBS, por la të hapura pyetjet lidhur me kohëzgjatjen e armëpushimit dhe formulimin përfundimtar të ndërprerjes së operacioneve ushtarake.
