Trump urdhëron bllokadë totale për naftën nga Venezuela, Maduro: Kërcënim grotesk!
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar në platformën Truth se ka urdhëruar një “bllokadë totale dhe të plotë” për të gjitha anijet e naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Sipas tij, vendi i Amerikës së Jugut është rrethuar plotësisht nga flota më e madhe detare e mbledhur ndonjëherë në historinë e rajonit. Trump paralajmëroi se kjo flotë “vetëm do të rritet” dhe se presioni do të jetë i pashembullt derisa, sipas tij, Venezuela të kthejë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gjithë naftën, territoret dhe asetet e tjera që janë “vjedhur më parë”.
Në deklaratën e tij, Trump e cilësoi qeverinë e presidentit Nicolás Maduro si një “regjim të paligjshëm”, duke e akuzuar se përdor naftën për të financuar aktivitete kriminale si terrorizmi i lidhur me drogën, trafikimi i qenieve njerëzore, vrasjet dhe rrëmbimet. Ai shtoi se, për këto arsye, regjimi venezuelian është përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj.
“Prandaj, sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha anijet e sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela,” deklaroi Trump. Ai shtoi se emigrantët dhe kriminelët e paligjshëm, të cilët sipas tij u dërguan në SHBA gjatë administratës Biden, po riatdhesohen në Venezuelë me një ritëm të shpejtë.
Nga ana tjetër, qeveria e Venezuelës reagoi ashpër, duke e quajtur njoftimin e Trump një “kërcënim grotesk”. Sipas autoriteteve në Karakas, Trump synon të imponojë një bllokadë ushtarake detare “të paarsyeshme”, me qëllim, sipas tyre, vjedhjen e pasurisë venezueliane.
