3-mujorëshi i tretë: Borxhi publik bie në 53.2% të PBB-së, por rritet në vlerë
Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, raporti i borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) shënoi një ulje të lehtë, duke arritur në 53.45% të PBB-së. Kjo shifër përbën një rënie krahasuar me 54.21% që ishte në fund të vitit 2024, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Megjithë uljen relative, borxhi publik është rritur në vlerë absolute. Në fund të shtatorit 2025, ai arriti në mbi 1.400 miliardë lekë, nga 1.364,9 miliardë lekë në dhjetor 2024. Kjo rritje prej rreth 36 miliardë lekësh, ose 2.6%, tregon efektin e disbursimeve të reja. Në të njëjtën kohë, një rritje më e lartë e PBB-së ka kontribuar në përmirësimin e raportit borxh/PBB.
Të dhënat sugjerojnë se borxhi i brendshëm përbën 30.85% të PBB-së, ndërsa borxhi i jashtëm zë 22.6%, duke treguar një strukturë më të ekuilibruar të huamarrjes.
Ministria e Financave vlerëson se reduktimi i raportit të borxhit ndaj PBB-së është një tregues i përmirësimit gradual të qëndrueshmërisë fiskale. Megjithatë, shërbimi i borxhit dhe rreziku i rifinancimit mbeten faktorë që kërkojnë monitorim të kujdesshëm, veçanërisht në kushtet e normave të larta të interesit në tregjet ndërkombëtare.
Raporti i borxhit të përgjithshëm të qeverisë qendrore, duke përfshirë edhe borxhin e garantuar ndaj PBB-së, ka ndjekur një tendencë të qartë rënëse gjatë dy viteve të fundit. Pas kulmit të arritur gjatë periudhës së pandemisë, në vitin 2020, kur borxhi publik arriti në 73.9% të PBB-së, niveli i detyrimeve shtetërore filloi të stabilizohej e më pas të binte. Në vitin 2021, raporti mbeti pothuajse i pandryshuar (74.1%), për të hyrë më pas në një fazë të qartë uljeje: 64.1% në 2022, 57.6% në 2023 dhe 54.2% në fund të vitit 2024.
Sipas Buletinit Statistikor të Borxhit për tremujorin e tretë të vitit 2025, raporti vijoi të përmirësohej, duke zbritur në 53.45% të PBB-së, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga viti 2015.
Kjo ulje relative ndaj PBB-së nuk ka ardhur si pasojë e një reduktimi të borxhit në vlerë absolute. Përkundrazi, stoku i borxhit është rritur në 1.400,7 miliardë lekë, nga 1.364,9 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar.
Rritja e PBB-së nominale dhe forcimi i monedhës vendase ndaj valutave kryesore kanë ndihmuar në përmirësimin e këtij raporti, duke e bërë borxhin më të qëndrueshëm në raport me kapacitetin e ekonomisë për ta shërbyer.
Struktura e borxhit tregon se 30.85% e PBB-së përfaqësohet nga borxhi i brendshëm, ndërsa 22.6% nga borxhi i jashtëm. Ky trend sinjalizon një rritje të peshës së huamarrjes në tregun vendas.
Në terma makroekonomikë, ulja e raportit të borxhit me PBB-në konsiderohet si një sinjal pozitiv për stabilitetin fiskal dhe aftësinë e qeverisë për të ruajtur besueshmërinë financiare.
