Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi më 14 tetor në Sarajevë se prioritet është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për të cilën duhet emëruar një kryenegociator.
Ajo sqaroi se zgjedhja e këtij personi i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por theksoi rëndësinë e emërimit sa më të shpejtë për të filluar aktivitetet e nevojshme.
Ky takim u zhvillua pas miratimit të Draftit të Agjendës së Reformave, dokument kyç për të siguruar rreth 900 milionë euro kredi dhe grante nga Plani i Rritjes i BE-së.
Von der Leyen kujtoi vendimin historik të Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën, duke vlerësuar rrugën e bërë nga vendi.
“Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave, dhe tani është radha jonë ta vlerësojmë atë; në hapin e ardhshëm do të duhet të shkojmë drejt finalizimit për miratimin e fondeve,” tha ajo.
Ajo theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve në Bosnjë e Hercegovinë është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se zgjerimi “nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje zemre, vullneti dhe zëri të popullit”.
“Sipas një ankete të fundit të opinionit publik, 72 për qind e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek Bashkimi Evropian. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur,” shtoi von der Leyen.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu shpresën për “përgjegjësi politike” në rrugën evropiane dhe përkushtim të përbashkët ndaj BE-së.
Krishto informoi gjithashtu për përgatitjet për Procesin e Berlinit, por theksoi vështirësitë në harmonizimin e marrëveshjes për lëvizshmërinë me karta identiteti.
Presidentja e KE-së, para takimit me Krishton, ishte takuar edhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe kishte vizituar Qendrën Përkujtimore Potoçari.
“Bashkimi Evropian do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës dhe nuk do të lejojë që të shkruhet një histori e re për të,” deklaroi ajo.