Botërori 2026: Karton i kuq për protestë apo mbulim goje

Kupën e Botës do të ketë një rregull të ri: karton i kuq për ata që mbulojnë gojën dhe protestojnë

Futbollistët që mbulojnë gojën gjatë përballjeve me kundërshtarët ose largohen nga fusha në shenjë proteste ndaj vendimeve të arbitrit, mund të ndëshkohen drejtpërdrejt me karton të kuq në Botërorin e kësaj vere.

Ky ndryshim rregullore u miratua nga International Football Association Board (IFAB) para Kongresit që FIFA mbajti në Vankuvër. U konfirmua se protokollet e reja do të zbatohen gjatë Kupës së Botës 2026, e cila nis në qershor.

IFAB nuk e ka bërë të detyrueshëm aplikimin e këtyre rregullave në kompeticione të tjera, duke ua lënë organizatorëve të çdo gare vendimin nëse do t’i adoptojnë apo jo.

Vendimi për karton të kuq ndaj lojtarëve që largohen nga fusha si protestë erdhi pas polemikave që shoqëruan finalen e Kupës së Afrikës 2026. Në atë ndeshje, disa futbollistë të Senegalit dolën nga fusha pas një penalltie të akorduar në fund të takimit.

Një deklaratë e IFAB theksonte: “Në diskrecionin e organizatorit të kompeticionit, arbitri mund të ndëshkojë me karton të kuq çdo lojtar që largohet nga fusha në shenjë proteste ndaj një vendimi arbitrar”.

Sipas rregullit të ri: “Ky rregull do të vlejë edhe për zyrtarët e skuadrave që nxisin lojtarët të largohen nga fusha. Një ekip që shkakton ndërprerjen e ndeshjes, në parim, do ta humbasë takimin në tavolinë”.

Një nga shqetësimet e ngritura nga ligat europiane lidhet me rastet kur lojtarët largohen nga fusha pasi kanë qenë objekt i abuzimeve raciste. Edhe çështja e mbulimit të gojës është lidhur së fundmi me akuzat për racizëm, pas incidentit të bujshëm në shkurt, kur sulmuesi i Real Madrid, Vinicius Zhunior, akuzoi lojtarin e Benfikës, Xhianluka Prestiani, për ofendime raciste ndërsa mbulonte gojën me fanellë.

UEFA e pezulloi Prestiannin për gjashtë ndeshje pasi ai pranoi se kishte bërë komente homofobike, ndërsa presidenti i FIFA-s, Xhiani Infantino, kërkoi masa më të ashpra ndaj rasteve të tilla. Infantino ka bërë gjithashtu thirrje për dënime më të rënda ndaj lojtarëve që largohen nga fusha, pas finales kontroverse të Kupës së Afrikës.

Më vonë, bordi i apelimit i Konfederatës Afrikane të Futbollit anuloi rezultatin e finales së janarit dhe ia dha fitoren Marokut, megjithëse Senegali ka apeluar vendimin në KAS.

Scroll to Top