Britania sanksionon rrjete trafiku emigrantësh në Ballkan

Qeveria britanike vendos sanksione ndaj rrjeteve në Ballkan që trafikojnë emigrantë; Starmer: Do të mbyllim këtë rrugë kriminale

Qeveria britanike, nën drejtimin e kryeministrit laburist Keir Starmer, njoftoi sot vendosjen e sanksioneve ndaj rrjeteve të trafikantëve të emigrantëve në Ballkan, të cilat ndihmojnë emigrantët e jashtëligjshëm të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ekziston një rrugë kriminale që kalon përmes Ballkanit Perëndimor, e cila i drejton emigrantët e parregullt drejt Mbretërisë së Bashkuar. Jemi të vendosur ta mbyllim atë, në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë”, deklaroi Starmer.

Britania po përpiqet, pa sukses deri më tani, të ulë numrin e emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla. Deri më sot, nga fillimi i vitit, numri i emigrantëve ka arritur në 36,734, dhe parashikohet të tejkalojë shifrat e vitit 2024.

Sipas Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office), sanksionet synojnë grupet kriminale në Ballkan që merren me shitjen e pasaportave të falsifikuara, si dhe individët që ofrojnë pajisje, përfshirë motorë për varkat e përdorura për kalimin e Kanalit. Të gjithë personat e përfshirë në listën e sanksioneve ndalohen të udhëtojnë në Britani dhe përjashtohen nga sistemi financiar britanik.

Po sot, Starmer pret në një samit të organizuar në Londër udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Serbi), si dhe liderë të tjerë evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.

Sipas Foreign Office, qëllimi i samitit është të diskutohet bashkëpunimi rajonal, emigracioni i paligjshëm, siguria evropiane dhe zhvillimi ekonomik.

Scroll to Top