Bujqësia Shqiptare 2026: Ferma të Mëdha, Falimentim Tradicional

Bujqësia, mes konsolidimit në ferma të mëdha dhe falimentit të njësive tradicionale

Në vitin 2026, prodhimi bujqësor në Shqipëri pritet të vazhdojë të jetë nën presion, duke pasqyruar trendin rënës të pesë viteve të fundit. Sipas ekspertit të bujqësisë, Nevion Telha, prodhimi është gjithnjë e më i ekspozuar ndaj sfidave klimatike, duke pësuar dëme të përsëritura nga ngricat, përmbytjet dhe moti i paqëndrueshëm. Mungesa e fuqisë punëtore gjithashtu kufizon zgjerimin real të sipërfaqeve të kultivuara.

Si pasojë, prodhimi në shkallë kombëtare pritet të mbetet i ulët, pavarësisht përmirësimeve të pjesshme në disa kultura specifike. Në të kundërt, eksportet bujqësore pritet të vijojnë rritjen edhe në vitin 2026, por kryesisht përmes zgjerimit të volumit dhe jo përmes rritjes së çmimeve. Eksportuesi Ruzhdi Koni thekson se rritja e shitjeve jashtë vendit është rezultat i profesionalizimit të segmentit eksportues dhe lidhjes më të fortë me tregjet europiane, edhe në kushte kur çmimet ndërkombëtare kanë rënë ndjeshëm krahasuar me periudhën pas pandemisë.

Sipas tij, eksportet në vitin 2026 do të mbështeten te ferma të mëdha të specializuara dhe kontrata më të strukturuara, ndërsa marzhet e fitimit do të mbeten të ngushta. Fermeri Mariglen Ziu, i cili zotëron disa hektarë serrë me destinacion eksportin, shprehet se baza e prodhuesve në bujqësi po tkurret çdo vit dhe zgjerimi po ndodh vetëm në disa ferma të mëdha, kryesisht në sera dhe në kultura me vlerë eksporti si bostani, lakra dhe perimet e fushës. Ky trend pritet të thellohet në vitin 2026, duke e bërë bujqësinë gjithnjë e më të përqendruar dhe më pak gjithëpërfshirëse.

Bujqësia tradicionale parashikohet të tkurret fort vitin e ardhshëm. Fermat e vogla, të orientuara drejt tregut vendas dhe vetëkonsumit, pritet të falimentojnë për shkak të kostove të larta, mungesës së subvencioneve, humbjeve pas korrjeve dhe pamundësisë për të përballuar standardet e Bashkimit Europian. Siç vëren Ruzhdi Koni, kostot e certifikimit, formalizimit dhe analizave laboratorike e bëjnë bujqësinë tradicionale gjithnjë e më jokonkurruese.

Në këtë kontekst, importet e ushqimeve pritet të rriten edhe në vitin 2026, duke zëvendësuar prodhimin vendas në tregun e brendshëm. Sipas fermerëve dhe eksportuesve, pjesa më cilësore e prodhimit do të vazhdojë të orientohet drejt eksporteve, ndërsa konsumatori vendas do të mbështetet gjithnjë e më shumë te produktet e importuara. Në përgjithësi, viti 2026 pritet të konsolidojë një model bujqësor bazuar në ferma të mëdha, të përqendruar në pak aktorë dhe të orientuara drejt eksportit, përballë një bujqësie tradicionale në tkurrje, me ndikim gjithnjë e më të kufizuar në prodhimin kombëtar, punësim dhe sigurinë ushqimore të vendit.

Blegtoria, pritet të theksohet në zonat rurale dhe malore

Blegtoria shqiptare pritet të vijojë tkurrjen edhe në vitin 2026, duke reflektuar një prirje rënëse që është konsoliduar gjatë dekadës së fundit. Sipas Gerta Lokut, fermere e cila mbarështon prej vitesh dhi, reduktimi i numrit të krerëve është veçanërisht i dukshëm te familjet e vogla rurale, të cilat tradicionalisht mbanin një ose dy krerë bagëti për mbijetesë. Largimi i popullsisë nga fshatrat, plakja e banorëve të mbetur dhe mungesa e trashëgimisë familjare në bujqësi po e përshpejtojnë këtë proces. Në zonat malore, pritshmëritë për shtim janë pothuajse zero.

Përkundrazi, reduktimi i krerëve shihet si i pashmangshëm, me shumë familje që po heqin dorë gradualisht nga blegtoria për shkak të kostove të larta dhe mungesës së fuqisë punëtore. Edhe familjet më të mëdha në zona tradicionale blegtorale raportojnë ulje të numrit të krerëve, duke treguar se tkurrja nuk prek më vetëm fermat e vogla, por po shtrihet më gjerë.

Një tjetër zhvillim shqetësues për vitin 2026 është rreziku i zhdukjes së racave vendase, veçanërisht te bagëtitë e imta, thotë znj. Loku. Fokusi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt dhive të importuara, ndërsa racat autoktone po humbasin terren për shkak të mungesës së programeve mbështetëse të synuara dhe të qëndrueshme.

Masat mbështetëse, ndonëse ekzistojnë në letër, ende nuk po arrijnë në mënyrë efektive te fermeri i vogël. Skemat kombëtare të subvencionimit dhe kreditë sovrane konsiderohen më të përshtatshme për fermerët me kapacitet financiar dhe formalizim të plotë, ndërsa fermerët e vegjël përballen me barriera të larta, si kërkesa për regjistrim në QKB dhe nevoja për investime që shpesh tejkalojnë mundësitë e tyre reale, analizon znj. Loku.

Drita, një blegtore në zonën e Lezhës, shprehet se është në dilemë për vijimin e aktivitetit për shkak të mungesës së tregut, çmimeve të ulëta dhe kostove të larta të aktivitetit. Nuk pritet zgjerim për vitin 2026.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në periudhën 2014-2024, numri i gjedhëve është reduktuar me mbi një të tretën krahasuar me një dekadë më parë, ndërsa lopët e qumështit kanë shënuar rënie të vazhdueshme, pavarësisht luhatjeve të lehta vjetore. Edhe bagëtitë e imta kanë ndjekur të njëjtën prirje: delet dhe dhitë janë pakësuar ndjeshëm, duke reflektuar braktisjen graduale të blegtorisë familjare në zonat rurale dhe malore.

Scroll to Top