Buxheti 2026 paguan faturat e 2025: Deformim i treguesve

Buxheti 2026, po paguan miliona euro për faturat e 2025

Kanë kaluar dy javë nga fillimi i vitit dhe buxheti i shtetit ende po kryen pagesa për muajin dhjetor 2025. Sipas të dhënave nga Thelësori i Ministrisë së Financave, të datës 7 dhjetor, janë bërë pagesa prej 380 milionë lekësh (3 milionë euro) për faturat e datës 24 dhjetor dhe mbi 505 milionë lekë (5.5 milionë euro) për faturat e datës 31 dhjetor.

Këto janë vetëm dy shembuj, teksa shumica e pagesave nga Thelësori në dy javët e para të janarit 2026 po bëhen për faturat e dhjetorit 2025.

Ekspertët e financave pohojnë se pagesa e faturave të dhjetorit në ditët e para të vitit pasardhës është e lejueshme nga pikëpamja ligjore. Sistemi buxhetor shqiptar funksionon kryesisht mbi bazë cash, çka do të thotë se shpenzimet regjistrohen në momentin kur kryhet pagesa dhe jo domosdoshmërish kur lind detyrimi. Për këtë arsye, një faturë që i përket shërbimeve apo mallrave të dhjetorit, por që paguhet në janar, llogaritet ligjërisht si shpenzim i vitit të ri.

Kjo nuk përbën shkelje të ligjit për menaxhimin e financave publike, por i deformon treguesit e një viti buxhetor dhe dëmton transparencën. Pagesa e faturave të dhjetorit në janar bën që deficiti i vitit të kaluar të shfaqet më i ulët, ndërsa barra reale e shpenzimeve zhvendoset artificialisht te viti pasardhës.

Kjo mënyrë e pagesave të dhjetorit në vitin tjetër fiskal është shndërruar në praktikë të përsëritur çdo fund-vit, duke dëmtuar besueshmërinë e raportimit fiskal dhe duke kufizuar të drejtën e publikut dhe të Kuvendit për të kuptuar se sa ka kushtuar realisht qeverisja e vitit të kaluar.

Në raportimet sipas standardeve ndërkombëtare, shpenzimet regjistrohen në momentin kur lind detyrimi ekonomik.

Sipas të dhënave zyrtare nga Thelësori i Ministrisë së Financave, përgjatë muajit dhjetor, nga data 2 deri me 29, janë kryer rreth 84 miliardë lekë (840 milionë euro) pagesa. Nga 1 janari deri me 29 dhjetor 2025, kur rezultojnë të dhënat e fundit mbi pagesat e Thelësorit, janë shpenzuar gjithsej rreth 722.6 miliardë lekë, teksa plani vjetor ishte 831.7 miliardë lekë. Kjo rezulton në një tepricë prej 109 miliardë lekësh, rreth 1.1 miliardë euro, në datën 30 dhjetor, një ditë para mbylljes së vitit.

Çdo fund viti qeveria miraton buxhet në rritje për vitin pasardhës, por në të vërtetë, ai asnjëherë nuk arrin të ekzekutohet sipas planit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse vendi ka nevoja të mëdha, me gati 20 për qind të popullsisë në varfëri relative dhe një emigracion masiv.

Në vitin 2025, teprica ishte shumë më e lartë pasi pagesat e muajit dhjetor ishin më të kufizuara për shkak të hetimeve. Teprica buxhetore, një pjesë e së cilës mund të përdoret për uljen e mëtejshme të borxhit publik, është më e mirë se abuzimet me to, siç edhe kanë treguar rezultatet e hetimeve nga SPAK.

Nje pjesë e pagesave të datës 7 janar i përkasin datës 24 dhjetor 2025.

Scroll to Top