Çekia në prag të Botërorit: Kaos, kapiteni pa shirit, bonuset anuluar

Çekia në prag të play-off-it të Botërorit: Kaos në kamp, kapitenit i hiqet shiriti, lojtarëve u anulohen bonuset

Çekia, një nga kundërshtaret e mundshme të Shqipërisë në vazon 2 të shortit të play-off-it për Botërorin 2026, po përballet me probleme të brendshme, pavarësisht se ka siguruar pjesëmarrjen në këto fazë. Pas fitores 6-0 ndaj Gjibraltarit, ndeshja e fundit në grupin kualifikues, në kampin çek nuk pati festë, por shpërtheu kaosi.

Gjatë takimit, tifozët ultras protestuan kundër ekipit me thirrje “Luftoni për Çekinë”, duke shprehur pakënaqësinë për paraqitjet e dobëta të kohëve të fundit, përfshirë humbjen ndaj Ishujve Faroe. Si kundërpërgjigje ndaj kësaj situate, në fund të ndeshjes, lojtarët, me në krye kapitenin Tomas Suçek, vendosën të mos shkonin të përshëndetnin tifozët, duke mos i duartrokitur siç është zakoni.

Ky veprim ngriti polemika në rrjetet sociale dhe çoi në masa drastike nga Federata Çeke e Futbollit. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Federata bëri të ditur se kapitenit Tomas Suçek i ishte hequr shiriti për ndeshjen e ardhshme, ndërsa lojtarëve u ishin anuluar bonuset për fitore, të cilat do të shkonin për bamirësi.

Në njoftimin e Federatës thuhej se sjellja e lojtarëve eklipsoi si paraqitjen në fushë, ashtu edhe arritjen e rëndësishme të sigurimit të fazës play-off. “Asnjë lojtar nuk qëndron mbi vendin që përfaqëson, as mbi tifozin që shpenzon paratë, kohën dhe energjinë e tij duke mbështetur ekipin kombëtar. Tifozët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë e tyre për performancat e dobëta të kohëve të fundit”, theksohet në komunikatë.

Këto ngjarje pritet të kenë pasoja të mëdha edhe në rendimentin e ekipit çek në fazën play-off.

Scroll to Top