Kush është Cilia Flores, “luftëtarja” që qëndronte pas Maduros
Në orët e para të 3 janarit, forcat speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rrëmbyen presidentin venezuelas Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, nga rezidenca presidenciale në kryeqytetin Karakas. Operacioni, i cili u shoqërua me sulme në kryeqytetin venezuelas ku mbetën të vrarë të paktën 40 persona, sipas zyrtarëve vendas, kishte në shënjestër çiftin e parë të vendit latino-amerikan. Por kush është Cilia Flores, e ashtuquajtura “luftëtarja e parë” e Venezuelës?
Jeta e hershme
Flores, tashmë 69 vjeçe, lindi më 15 tetor 1956, në Tinaquillo në Venezuelën qendrore. Ajo u rrit në zona të Karakasit perëndimor që CNN i ka përshkruar si “lagje të klasës punëtore”. Ajo u diplomua në “Universidad Santa Maria” në Karakas si avokate, e specializuar në të drejtat e punës dhe ato penale.
Ngritja e saj në famë erdhi kur ajo udhëhoqi ekipin që i ofroi ndihmë ligjore udhëheqësit ushtarak Hugo Chavez në vitin 1992, pasi ai u përpoq të rrëzonte presidentin e atëhershëm venezuelas Carlos Andres Perez. Thuhet se Flores ndihmoi në sigurimin e lirimit të Chavez nga burgu në vitin 1994, duke përgatitur kandidimin e tij të suksesshëm për president në vitin 1999. Ajo u bë një anëtare e rëndësishme e lëvizjes “Chavismo”, e emërtuar sipas Chavez. Ishte në lëvizjen “Chavismo” ku ajo takoi bashkëshortin e saj të ardhshëm, Maduro, i cili tani është 63 vjeç dhe e quan atë “Cilita”. Të dy kanë qenë partnerë për më shumë se tre dekada. Ajo ka tre fëmijë nga një martesë e mëparshme.
Karriera politike
Ngritja e famës së Flores nuk erdhi vetëm nëpërmjet pozicionit të saj si partnere e Maduros. Në fakt, ajo ndërtoi pozicionin e saj politik para se të bëhej “luftëtarja e parë” e Venezuelës, term që përdoret në vend të titullit “zonjë e parë” në lëvizjen “Chavismo”.
Në vitin 1999, Chavez u zgjodh president. Një vit më vonë, në vitin 2000, Flores u zgjodh në Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, legjislaturën federale, duke përfaqësuar Cojedes, shtetin e saj të lindjes. Ajo u rizgjodh në vitin 2005 dhe në vitin 2006, ajo pasoi Maduron duke u bërë gruaja e parë që kryesoi parlamentin e Venezuelës. Në vitin 2009, Flores u bë nënkryetarja e dytë e Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës të Chavez dhe në vitin 2012, Chavez e emëroi atë prokurore të përgjithshme.
Pas vdekjes së Chavez në vitin 2013, Maduro e pasoi atë duke fituar zgjedhjet kundër kandidatit të opozitës Henrique Capriles. Në korrik 2013, Maduro dhe Flores u martuan pas më shumë se dy dekadash së bashku. Pozicioni i saj i ri si “luftëtarja e parë” e bëri Flores të dilte nga vëmendja dhe të fillonte të punonte në prapaskenë. Megjithatë, në vitin 2017, ajo u rikthye në politikë pasi u zgjodh në Asamblenë Kushtetuese, një grup që u zgjodh për të hartuar një kushtetutë të re të Venezuelës. Në vitin 2021, ajo u zgjodh përsëri në Asamblenë Kombëtare. Në momentin e arrestimit të saj, ajo shërbente ende si deputete në Asamblenë Kombëtare. Brenda Venezuelës, ajo është akuzuar për nepotizëm duke emëruar anëtarë të ngushtë të familjes në pozicione të rëndësishme politike.
Akuzat
Roli i Flores si pjesë e rrethit të ngushtë të Maduros ka sjellë edhe pasoja ndërkombëtare. Ajo u sanksionua nga autoritetet amerikane dhe kanadeze në vitin 2018, pasi Organizata e Shteteve Amerikane tha se qeveria e Maduros kishte kryer krime kundër njerëzimit.
Pas arrestimit të saj të shtunën, ajo u paraqit me Maduron në një gjykatë të Nju Jorkut të hënën. Maduro u pa duke dalë nga një aeroplan në SHBA, ndërsa Flores jo. Ajo është paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut nga Prokurorja e Përgjithshme të SHBA-së Pam Bondi, duke u përballur me akuza të ngjashme me ato të Maduros, përfshirë “Konspiracion Narko-Terrorizmi, Konspiracion Importimi Kokaine, Posedim të Armëve dhe Pajisjeve Shkatërruese, dhe Konspiracion për Posedim të Armëve dhe Pajisjeve Shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara”, sipas një postimi në X të Bondit.
Sa i përket Flores, ajo “akuzohet se ka pranuar qindra mijëra dollarë ryshfete në vitin 2007 për të rregulluar një takim midis ‘një trafikanti droge në shkallë të gjerë’ dhe drejtorit të Zyrës Kombëtare Kundër Drogës të Venezuelës”, sipas gazetës “The Guardian”. Nipërit e Flores u arrestuan në SHBA në vitin 2017 dhe u dënuan me 18 vjet burg për komplot për trafikimin e kokainës në këtë vend. Ata u liruan në vitin 2022 si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish me Venezuelën për shtatë shtetas amerikanë të burgosur.
SHBA pretendon se nipërit e Flores u kapën në regjistrime që vërtetojnë se kishin ndërmend të dërgonin qindra kilogramë kokainë në SHBA nga hangari presidencial i Maduros në Venezuelë.
©LAPSI.al
