Çmime të reja karburante: Nafta bie, benzina mbetet

Bordi i Transparencës përcakton çmimet e reja të karburanteve, nafta pëson ulje

Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja për shitjen me pakicë të karburanteve në vend. Duke filluar nga ora 16:00 e ditës së sotme, nafta do të shitet jo më shumë se 206 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 184 lekë për litër.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Bordi i Transparencës, në datën 2 Maj 2026, gjatë mbledhjes së tij të radhës, vendosi:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me shumicë i gazoilit të jetë jo më shumë se 194 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë të standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 184 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me shumicë i benzinës të jetë jo më shumë se 172 lekë/litër.

Çmimet e miratuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 2, në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për të ruajtur parimet e konkurrencës së ndershme në treg.

Scroll to Top