Keydata: Çmimet e apartamenteve janë trefishuar në 20 vitet e fundit
Çmimi mesatar për metër katror për apartamentet në Tiranë, në fund të qershorit 2025, ka arritur në 1,863 euro, sipas të dhënave të indeksit “Keydata Albania” publikuar nga “Çelësi Media Group”. Të dhënat përfshijnë një përzierje apartamentesh të reja dhe të vjetra, por kryesisht pasqyrojnë çmimet e apartamenteve të rishitura.
Sipas indeksit “Keydata Albania”, në tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimet mesatare janë rritur me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në krahasim me vitin 2005, kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta, duke u pothuajse trefishuar në dy dekada.
Tremujori i dytë i vitit 2025 karakterizohet nga rritje çmimesh në tre zonat kryesore të Tiranës:
- Brenda Unazës së Vogël: Çmimi mesatar për metër katror është 2,054 euro, me një rritje prej 10.1% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
- Zona e Ish Bllokut: Çmimi mesatar ka arritur në 2,660 euro për metër katror, me një rritje prej 0.8% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
- Zona jashtë Unazës së Vogël: Çmimi mesatar është 1,768 euro për metër katror, me një rritje prej 4.3% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Raporti “Keydata Albania” ilustron në Grafikun 1 evolucionin e indeksit të çmimit real të shitjes së apartamenteve në Tiranë për periudhën 2020-2025. Viti 2005 është përcaktuar si bazë krahasuese me vlerë indeksi 100. Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e dytë 2025, çmimi real i shitjes është rritur me 103%, ndërkohë që inflacioni kumulativ është 70.2%.
Gjatë periudhës 2020-2025, çmimi real mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë ka lëvizur mes 1,030 €/m2 dhe 1,863 €/m2. Çmimet mediane kanë variuar nga 984 €/m2 në 1,755 €/m2. Në tremujorin e dytë 2025, çmimet mesatare dhe mediane janë përkatësisht 1,863 €/m2 dhe 1,755 €/m2, duke shënuar një rritje reale prej 4.9% dhe 5.6% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Është e rëndësishme të theksohet se çmimet mesatare llogariten në proporcion me numrin e apartamenteve në shitje dhe një rritje apo rënie e tyre nuk tregon domosdoshmërisht një zhvillim të tregut, por mund të reflektojë ndryshime në ofertën e apartamenteve.
Në zonën brenda Unazës së Vogël (Grafiku 3), çmimi mesatar real i shitjes ka qenë mes 1,128 €/m2 dhe 2,054 €/m2, ndërsa çmimet mediane mes 1,074 €/m2 dhe 1,993 €/m2. Në tremujorin e dytë 2025, çmimi mesatar është 2,054 €/m2 dhe çmimi median 1,993 €/m2, me rritje përkatësisht 10.01% dhe 9.7% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Zona e Bllokut (Grafiku 4) ka shfaqur luhatje më të konsiderueshme, me çmime mesatare shitjeje mes 1,462 €/m2 dhe 2,856 €/m2, dhe çmime mediane mes 1,387 €/m2 dhe 2,721 €/m2. Në tremujorin e dytë 2025, çmimi mesatar është 2,660 €/m2 dhe çmimi median 2,437 €/m2, me rritje përkatësisht 0.8% dhe 4.1% krahasuar me tremujorin e parë 2025.
Në zonën jashtë Unazës së Vogël (Grafiku 5), çmimet mesatare reale variojnë nga 959 €/m2 deri në 1,768 €/m2 në tremujorin e dytë 2025. Çmimet mediane janë mes 930 €/m2 dhe 1,660 €/m2. Në tremujorin e dytë 2025, çmimet mesatare janë 1,768 €/m2 dhe çmimet mediane 1,660 €/m2, me një rritje prej 4.2% dhe 4.3% krahasuar me tremujorin e parë 2025.