Çmimet janë rritur me 3.2% edhe sipas metodës së Eurostat, efekti kryesor nga ushqimet dhe argëtimi
Inflacioni, i matur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), në muajin Qershor 2026 arriti 3.2%, sipas publikimit më të fundit të INSTAT. Kjo shifër është e njëjtë me rritjen e çmimeve të raportuar nga INSTAT në publikimin e mëparshëm.
Ndryshe nga INSTAT, sipas indeksit të harmonizuar, ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e kanë dhënë ushqimet, ndërsa elementi i dytë në renditje është argëtimi. Në të kundërt, sipas INSTAT, faktori i dytë me ndikimin më të madh ishin qiratë, uji dhe energjia.
Sipas publikimit të fundit, kontributi kryesor në rritjen vjetore të çmimeve në Qershor erdhi nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1.02 pikë përqindje, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.9%. Pas këtij grupi vjen “Argëtim, sport dhe kulturë”, me një kontribut prej +0.65 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 10.2%.
Grupe të tjera me ndikim në rritjen e çmimeve përfshijnë:
- “Restorante dhe shërbime akomodimi” me një kontribut prej +0.56 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 3.9%.
- “Pije alkoolike dhe duhan” me një kontribut prej +0.25 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 4.9%.
- “Transporti” me një kontribut prej +0.16 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 1.9%.
- “Shërbimi arsimor” me një kontribut prej +0.15 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 3.3%.
- “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me një kontribut prej +0.12 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 3.8%.
- “Shëndeti” me një kontribut prej +0.10 pikë përqindje dhe një rritje vjetore prej 1.9%.
Në Qershor 2026, çmimet e konsumit u ulën me 0.1%, krahasuar me muajin e kaluar. Kjo ulje mujore u ndikua kryesisht nga rënia e çmimeve në grupin “Transporti” me 2.1%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0.8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.6%, si dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë” me 0.5% secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” shënuan një rritje me 3.2%, e ndjekur nga grupet “Shërbimi arsimor” me 0.7%, “Shëndeti” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 0.5% secili.
Sipas Eurostat, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) ka për qëllim të matë ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve, duke marrë parasysh strukturën e shpenzimeve të konsumatorëve (vendas dhe të huaj) për konsumin final në territorin e Shqipërisë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke mundësuar krahasimin e përqindjes së inflacionit ndërmjet vendeve dhe duke shërbyer si inflacion zyrtar për Bankën Qendrore Evropiane, për të siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.
