Çmimi i energjisë për prodhuesit me përparësi për vitin 2026 mbetet 10 lekë/kWh
Prodhuesit me përparësi të energjisë, të cilët përfshijnë hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15MW, do të vazhdojnë të shesin energjinë tek Furnizuesi i Tregut të Lirë me 10 lekë/kWh edhe gjatë vitit 2026.
Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë javë vendimin, duke sqaruar formulën e llogaritjes së këtij çmimi. Sipas vendimit, formula merr parasysh referenca si Bursa Hungareze dhe ajo Shqiptare, por prevalon vendimi i qeverisë i vitit 2023, i cili përcakton një tavan jo më shumë se 10 lekë/kWh.
Enti argumenton se, bazuar në të dhënat paraprake të publikuara nga Bursa Hungareze e Energjisë (HUPX) për periudhën 10-mujore të tregut të ditës në avancë për vitin 2025, çmimi mesatar rezulton 106.55 euro/MWh, duke sjellë një çmim vjetor blerjeje prej 12.53 lekë/kWh, sipas formulës së metodologjisë në fuqi.
Gjithashtu, duke iu referuar të dhënave nga Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) për të njëjtën periudhë 10-mujore të vitit 2025, çmimi mesatar klerues rezulton 118.93 euro/MWh, duke sjellë një çmim vjetor blerjeje prej 13.99 lekë/kWh, sipas formulës së përdorur në metodologjinë aktuale.
“Të dyja vlerat e llogaritura rezultojnë mbi nivelin maksimal prej 10 lekë/kWh (pa TVSH), të përcaktuar në shkronjën “d” të pikës 2 të VKM-së nr. 687, datë 22.11.2017, të ndryshuar me VKM-në nr. 67, datë 08.02.2023,” thuhet në vendim.
Në përfundim, Enti thekson se, duke u bazuar në llogaritjet e kryera sipas përcaktimeve të metodologjisë për përcaktimin e çmimit vjetor të blerjes së energjisë elektrike për prodhuesit ekzistues me përparësi, miratuar me VKM-në nr. 687, datë 22.11.2017, e ndryshuar, si dhe nivelit maksimal të çmimit të përcaktuar në gërmën “d” të saj, çmimi i blerjes së energjisë elektrike për vitin 2026 duhet të jetë 10 lekë/kWh (pa TVSH). Ky është çmimi që është miratuar dhe që do të mbetet në fuqi edhe për vitin e ardhshëm.
