Danimarka: Armë kundër pushtimit të Groenlandës nga SHBA

Planet e SHBA për aneksimin e Groenlandës/ Ministria daneze: Do përdorim armët

Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës ka konfirmuar se trupat daneze janë të detyruara ligjërisht të përdorin armët, edhe pa urdhër të drejtpërdrejtë, në rast se Groenlanda do të pushtohej me forcë. Ky detyrim bazohet në një direktivë të vitit 1952, e cila, sipas ministrisë, mbetet ende në fuqi.

Deklarata vjen mes sinjaleve të përsëritura nga administrata e Donald Trump për marrjen e Groenlandës, territor autonom i Danimarkës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti po shqyrton disa opsione, ndër to përfshihet edhe përdorimi i forcës ushtarake.

Ky skenar do ta vendoste NATO-n përballë një situate të paprecedentë: përplasjes mes dy vendeve anëtare. Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi se çdo sulm amerikan ndaj një aleati të NATO-s do të minonte themelet e aleancës dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se po shqyrtohen alternativa të ndryshme për “përvetësimin” e Groenlandës. Zëvendësshefi i kabinetit të Donald Trump, Stephen Miller, deklaroi se SHBA do të vepronte “si superfuqi”, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio u përpoq të ulë tonet, duke theksuar se blerja mbetet një nga opsionet në shqyrtim.

E themeluar në vitin 1949 për të frenuar agresionin sovjetik, NATO sot ka 32 vende anëtare. Pas më shumë se 75 vitesh, roli i aleancës mbetet i rëndësishëm por vazhdimisht i sfiduar. NATO gjendet përballë një pikëpyetjeje kyçe: do të mund të ruajë unitetin apo do të pësojë fraktura.

Scroll to Top