Danimarka heq dorë nga letrat postare pas 400 vitesh

Pas 400 vitesh shërbim, Danimarka heq dorë nga dërgimi tradicional i letrave me postë.

Kompania daneze e shërbimeve postare, “PostNord”, do të kryejë shpërndarjen e fundit të letrave më 30 dhjetor, duke i dhënë fund kështu një tradite që ka zgjatur mbi katër shekuj. Ky vendim, raporton “The Guardian”, shënon një kthesë historike për vendin, i cili sot konsiderohet ndër më të digjitalizuarit në botë.

“PostNord”, e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i ofruesve suedezë dhe danezë të shërbimeve postare, ka njoftuar gjithashtu se do të shkurtojë 1500 vende pune dhe do të heqë 1500 kuti postare të kuqe. Fokusi kryesor i kompanisë do të jetë tani vetëm shpërndarja e pakove.

Rënia e kërkesës për letra, e cila ka qenë mbi 90% gjatë 25 viteve të fundit, paralelisht me rritjen e ndjeshme të blerjeve online, ka sjellë këtë ndryshim. Kutia postare e kuqe, një simbol i postës daneze, është kthyer tashmë në një objekt nostalgjie. Mjaftoi që 1000 kuti të tilla të nxirreshin në shitje, për t’u blerë brenda tre orësh, me çmime që varionin nga 1500 deri në 2000 korona daneze. Pritet që edhe 200 kuti të tjera të dalin në ankand në janar.

Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht nga jeta e qytetarëve danezë. Kompania “Dao” do të marrë përsipër këtë shërbim, duke zgjeruar kapacitetin e saj nga 30 milionë letra në vit në 80 milionë. Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në dyqanet e “Dao” ose të paguajnë një tarifë shtesë për mbledhjen e tyre në shtëpi. Ndërsa pullat do të blihen online ose përmes aplikacionit.

Ligji danez garanton që mundësia për të dërguar letra të ekzistojë gjithmonë. Kjo do të thotë se në rast se “Dao” ndalon shërbimin, qeveria do të duhet të caktojë një kompani tjetër për të vazhduar këtë aktivitet.

Ministria e Transportit ka theksuar se ky ndryshim është më shumë “sentimental” sesa praktik, pasi qytetarët do të kenë ende mundësinë të dërgojnë dhe të marrin letra.

Scroll to Top