“`html
Debat në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike: Flamur Noka përplaset ashpër me një anëtare
Publikuar më 27.11.2025 nga shekulli_admin
Në Partinë Demokratike, duket se takimet e brendshme zhvillohen sipas dy skenarësh: njëri për publikun dhe tjetri për atë që ndodh realisht, i cili është shumë larg informacioneve të postuara në rrjetet sociale nga anëtarët e partisë.
Gjatë një mbledhjeje të strukturave të Partisë Demokratike në Kamëz dhe Paskuqan, zhvilluar pasditen e së mërkurës, deputeti Flamur Noka përfshihet në një debat me një anëtare të kësaj force politike. Kjo e fundit ngriti dyshime mbi rregullsinë e procesit të primareve.
Noka i kërkoi zonjës në fjalë që “herën tjetër të lexonte statusin”, ndërsa ajo ia kujtoi atij se nuk ishte aty për përfitime nga partia, por për kontributin e saj me punë dhe mund.
Ky debat brenda strukturave u kthye në një nga lajmet më të përhapura në rrjetet sociale. Anëtarja e Kryesisë i ka kërkuar numrit dy të partisë shpjegime lidhur me moszbatimin e primareve sipas statutit dhe ka shprehur shqetësim për anashkalimin e bazës në procesin e vendimmarrjes.
Flamur Noka debatoi me anëtaren, e cila u revoltua ndaj Sekretarit të Përgjithshëm, duke i thënë se “PD nuk është partia e tij dhe nuk mund ta largojë”.
Ndryshe nga zhvillimi i mbledhjes, në llogarinë e Facebook-ut të Albana Vokshit kjo mbledhje u përshkrua si e suksesshme dhe “frytshme”, duke theksuar analizë të thelluar, energji pozitive dhe dakordësi të plotë për organizimin, transparencën dhe komunikimin me qytetarët. Asnjë referencë nuk u bë për debatin e tensionuar, për zonjën që kërkonte rregullsi, apo për komentet e Nokës drejtuar demokrates lidhur me procesin e vendimmarrjes.
Në statusin e Vokshit u pasqyrua një bashkëbisedim produktiv:
- “Takim i frytshëm me kryesinë e zgjeruar të Kamzës. Bëmë një analizë të qartë të situatës në terren dhe të klimës politike në vend, ku qytetarët po përballen me mungesë transparence, rritje të kostos së jetesës dhe një administratë që nuk i përgjigjet nevojave të tyre.
- Kamza vazhdon të mbetet ndër zonat me sfidat më të mëdha sociale dhe ekonomike, por edhe me energjinë më të madhe për ndryshim. U dakorduam të thellojmë organizimin, të forcojmë komunikimin me çdo familje dhe të jemi të pranishëm kudo ku ka problem, padrejtësi apo nevojë për zë opozitar.
- Angazhimi ynë është i qartë: Kamza duhet të kthehet në model të transparencës, të llogaridhënies dhe të politikës që i shërben qytetarit”, shkroi Vokshi.
“`
