“`html
Mbledhja pa media: Zbardhen përplasjet dhe akuzat mes Nokës dhe Salianjit
Janë zbuluar detaje të reja nga debatet që u zhvilluan sot mes demokratëve në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila u mbajt me dyer të mbyllura, pa prezencën e mediave. Mësohet se Flamur Noka dhe Ervin Salianji kanë pasur përplasje të forta gjatë mbledhjes.
Noka akuzoi ish-deputetin demokrat se ka angazhuar grupin e Suel Çelës për të penguar pjesëmarrjen e qytetarëve në “Foltoren” e Berishës. Salianji, nga ana e tij, iu përgjigj duke e cilësuar deklaratën e Nokës si “idiotësi”.
Pjesë nga debati:
- Bislim Ahmetaj: “Mendoj se përgjegjësinë e ka Flamur Noka për gjithë këtë çorganizim të partise. Mendoj se do të kemi vështirësi të na vijnë njerëz. Me këtë reagim po neglizhojmë demokratët dhe Avokati i Popullit është përgjegjësi e Nokës. Me Salianjin nuk kam pasur simpati sepse jemi përplasur, por sot, me lëvizjet që po bën, i jap të drejtë.”
- Flamur Noka: “Në Durrës nuk kanë qenë demokratë. Arlind Boshku dhe Tan Burgia janë zëra të Dyrmishit dhe Ergysit.”
- Ervin Salianji: “Janë sekretari i degës dhe kryetari i grupit të këshilltarëve të PD. Pse sot, që nuk mendojnë si ju, janë kundër këta?! Pse këta emrat e PS nuk i përmendni ju në publik?”
- Flamur Noka: “Në Elbasan njerëzit thonë që po angazhohet Suel Çela për të mos pasur njerëz te ‘foltorja’ dhe ky është ndikimi yt (Salianjit).”
- Ervin Salianji: “Ende nuk e kam caktuar takimin, por meqë deri sot kam menduar që s’dua përçarje dhe as dua të flas, po të them që ti duhet të jesh i kujdesshëm, sepse ke qenë i akuzuar para 4 vitesh se mblidhje firmat e seksioneve nën kërcënimin e Suelit. Pastaj, se kush e takon, ju e dini që jua sjell me fakte nëse vazhdoni me këto idiotësi.”
- Flamur Noka: “Në Gjirokastër nuk kishe kryesi.”
- Ervin Salianji (lexon emrat e kryesisë): “Mbi 80% e kryesisë dhe salla plot. Por edhe sikur, pse nuk shkon ti, Flamur, apo ndonjë tjetër dhe t’i mbushë sallat? Avokati i Popullit ishte gabim strategjik. PD duhet të shkonte me një kandidat. E kemi dërguar para 4 vitesh Ledio Brahon kandidat të vetëm dhe e ka rrëzuar Rama. Nuk mund t’u thuash deputetëve që firmosni kë të doni dhe pastaj thua pse na e hodhi Rama. Duket si pazar te njerëzit dhe ti, Flamur, meqë po i del për zot, duhet të japësh dorëheqjen për shkatërrimin e strukturës, organizimit dhe perceptimin që jeni shitur te Rama.”
- Ervin Salianji (pas ndërhyrjes së Nokës): “Mos më ndërhy, se është fjala ime. Mendoj që pas kësaj të vëmë mend. Mos ulemi më me Ramën as te reforma zgjedhore, as te territorialja. Të japim propozimin tonë. I imi është të hapen listat, të kemi koalicione parazgjedhore dhe të ndryshojë mënyra e votimit për diasporën. Dhe te territorialja të propozojmë bashkitë sipas propozimeve të demokratëve dhe qytetarëve.”
“`
