Debati për Tatimin mbi të Ardhura: Paga Bruto Tatimore

Debati për Tatimin mbi të Ardhura: A duhet të llogaritet mbi pagën bruto? Ekspertët ndahen

Mënyra e llogaritjes së Tatimit mbi të Ardhura Personale (TAP), ku baza tatimore përfshin të ardhurat bruto të një individi, duke përfshirë edhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore, ka nxitur një debat mes ekspertëve të fushës fiskale.

Eksperti fiskal Julian Saraçi ka ngritur shqetësimin mbi këtë mënyrë llogaritjeje, duke e cilësuar atë si “një formë tatimi mbi fonde që qytetari nuk i merr kurrë”. Saraçi thekson se problemi kryesor qëndron te fakti se TAP llogaritet mbi pagën bruto, duke përfshirë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

“Një punonjës me pagë bruto 100,000 lekë paguan 11,200 lekë kontribute, duke marrë në dorë, pa zbritur tatimin, vetëm 88,800 lekë. Megjithatë, tatimi llogaritet mbi shumën bruto prej 100,000 lekësh,” shpjegon ai.

Sipas tij, ky model krijon një diferencë artificiale mes të ardhurave reale dhe atyre të tatueshme. Ai ngre pyetjen thelbësore: a është e drejtë të tatohen fonde që qytetari nuk i disponon kurrë? Nga perspektiva e parimeve kushtetuese, duke përfshirë mbrojtjen e pronës private, proporcionalitetin e taksave dhe kufizimin e ndërhyrjes shtetërore, ky mekanizëm mund të shihet si problematik, pasi tatimi nuk reflekton fuqinë reale ekonomike të individit.

Saraçi e cilëson këtë praktikë si problematike jo vetëm financiarisht, por edhe në kontekst kushtetues. Ai pyet nëse kontributet e sigurimeve duhet të përfshihen në bazën tatimore, kur tatimi lind vetëm në momentin kur gjenerohen të ardhura, kryhen shpenzime (konsumohet) ose tjetërsohet pasuri pronësore. Në këtë logjikë, tatimi mbi kontributet e sigurimeve nuk gjen mbështetje doktrinore, sepse kontributi nuk është e ardhur e fituar; nuk është shpenzim i realizuar, nuk i shton pasuri subjektit dhe as nuk është transaksion i lirë vullnetar, por detyrim i paracaktuar me ligj.

Kontributet për sigurime shoqërore dhe shëndetësore nuk janë të ardhura të fituara nga qytetari; ato nuk shtojnë pasuri dhe nuk përfaqësojnë shpenzime të lira vullnetare. Pra, përfshirja e tyre në bazën tatimore krijon një mospërputhje logjike, pasi tatimi llogaritet mbi fonde të padisponueshme, ndërsa parimet fiskale kërkojnë që tatimet të jenë proporcionale dhe të reflektojnë të ardhurat reale.

Saraçi sjell edhe referenca ndërkombëtare, duke përmendur praktikat e vendeve të OECD dhe ato të Bashkimit Europian.

  • Raporti “Taxing Wages 2025” publikuar nga OECD, ku kontributet e detyrueshme për sigurime shoqërore trajtohen si “tatime” (taxes) kur përllogaritet “tax wedge” (pjesa e kostos së punës që i shkon shtetit). Pra, duke qenë se vetë kontributet konsiderohen taksa, i bie që praktikisht po tatojmë mbi tatimin.
  • “International Monetary Fund (IMF) – Labor Taxation in the Western Balkan: Looking Back and Forward (2022)”. Ky dokument trajton mënyrën se si tatimet dhe kontributet sociale (pra pjesa që zakonisht merret nga paga bruto) ndikojnë në tregun e punës dhe ekonominë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti diskuton “tax wedge”-in dhe efektet e tij mbi informalitetin, punësimin dhe motivimin për të punuar formalisht.
  • Vende si Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ku tatimi mbi të ardhurat dhe kontributet sociale ndahen qartë, duke shmangur tatimin mbi fonde të padisponueshme.

Për ekspertin fiskal, praktika e përdorur në vend ka ndikime direkte në ekonomi: ul fuqinë blerëse, rrit kostot e punës dhe i vendos punonjësit e bizneset në pozita më të vështira. Ai rekomandon rishikimin e bazës tatimore.

“Tatimi mbi të ardhurat që qytetari nuk i disponon nuk reflekton realitetin ekonomik dhe sfidon parimet kushtetuese dhe fiskale. Një rikonceptim i bazës tatimore, duke përjashtuar kontributet e detyrueshme nga tatimi mbi të ardhurat do të sillte drejtësi, efikasitet dhe transparencë në sistemin fiskal.”

Bendo: Sistemi aktual është i drejtë dhe i balancuar

Nga ana tjetër, për audituesin Bujar Bendo, sistemi i llogaritjes së tatimit mbi pagën bruto është i drejtë dhe i balancuar.

“Kjo është praktikë e zbatuar në vite njësoj. Është e drejtë pasi në parim ligji taton të ardhurat nga punësimi dhe jo detyrimet e tjera të përcaktuara me ligj dhe që nuk janë përfitim i drejtpërdrejtë i individëve apo të punësuarit.”

Bendo thotë se sistemi i Tatimit mbi të Ardhura Personale përjashton një fashë të të ardhurave deri në 30,000 lekë nga tatimi.

“Sot fasha deri në 30,000 lekë është e përjashtuar, domethënë edhe për një pagë 100,000 lekë, tatimi bëhet për 70,000 lekë. Pra, kjo është formula dhe rregulli i vendosur, që është i drejtë dhe i balancuar sipas këtij sistemi. A ka vend për diskutim dhe ndryshim, hajde flasim por nuk shikoj ‘gjetje’.”

Kush do ta kalojë çështjen në Kushtetuese?

Po kush do ta dërgojë më në fund një çështje që i intereson rreth 500,000 të punësuarve në Gjykatën Kushtetuese? Sipas audituesit Bujar Bendo, kalimi i një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese (GJK) nuk bëhet drejtpërdrejt nga individët.

Ai shpjegon se “Kalimi në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm nga organet dhe institucionet e caktuara me ligj. Individët dhe çdo person tjetër duhet të kalojnë fillimisht përmes Gjykatës së Shkallës së Parë, për të marrë një vendim pozitiv që mund të shqyrtohet më pas në Gjykatën Kushtetuese.”

Scroll to Top