“`html
Dëmshpërblimi për të larguarit nga puna, priten 12 mln euro për vendimet në 2025-2028
Viti 2025 pritet të mbyllet me shpenzime për dhënien e dëmshpërblimeve për largime apo pushime të padrejta nga puna, me vlerë 284 milionë lekë.
Për tre vitet e ardhshme, periudhën 2026–2028, parashikohet të shpenzohen edhe 870 milionë lekë, ose rreth 9 milionë euro të tjera, për ekzekutimin e detyrimeve që rrjedhin nga vendimet gjyqësore të formës së prerë për të larguarit nga puna. Kjo e çon totalin e faturës së shpenzimeve për periudhën 2025–2028 në rreth 1,1 miliardë lekë, ose afërsisht 12 milionë euro.
Të dhënat janë publikuar në “Programi buxhetor afatmesëm 2026-2028, i rishikuar”.
Për periudhën 2026 deri në 2028 pritet të ekzekutohen detyrimet për 425 vendime gjyqësore, me vlerë totale prej 870 milionë lekë. Dëmshpërblimi për çdo vendim llogaritet nga 1,9 milionë lekë deri në 2,2 milionë lekë.
- Për vitin 2026 pritet të ekzekutohen detyrimet për 145 vendime gjyqësore, me një total shpenzimesh prej 300 milionë lekë. Kostoja për njësi (për vendim) llogaritet 2,2 milionë lekë.
- Shpenzimet për 2027 parashikohen me vlerë 270 milionë lekë, për ekzekutimin e pagesave të 140 vendimeve gjyqësore. Kostoja për vendim llogaritet 1,9 milionë lekë.
- Edhe për vitin 2028 parashikohen të ekzekutohen pagesat për një numër prej 140 vendimesh të tjera gjyqësore. Totali i shpenzimeve llogaritet 270 milionë lekë, apo me kosto për njësi prej 1,9 milionë lekë.
Për vitin 2025, Ministria e Financave parashikon të shpenzojë 284 milionë lekë për ekzekutimin e detyrimeve ndaj personave të larguar nga puna pa të drejtë, duke e çuar totalin e faturës së shpenzimeve për vitet 2025-2028 në vlerën e 1,1 miliardë lekëve, ose rreth 12 milionë euro.
Për dhënien e dëmshpërblimeve për të larguarit nga puna, janë paguar 13 miliardë lekë, ose rreth 130 milionë euro, për vitet 2015 deri në 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të dhëna më herët për Monitor.
Në harkun e 9 viteve të mëparshme, vitet 2015-2023, fatura më e lartë e paguar për të larguarit nga puna, të cilët kishin fituar çështjet gjyqësore, ishte për vitin 2017, në vlerën e 1,8 miliardë lekëve.
Në totalin e shpenzimeve për vendimet gjyqësore të formës së prerë, pagesat më të larta janë kryer për ekzekutimin e detyrimeve ndaj të larguarve nga puna nga administrata e qeverisjes qendrore. Totali i faturës së paguar për largimet nga puna nga administrata qendrore për vitet 2015-2022 llogaritet 9,9 miliardë lekë.
Fatura e paguar nga pushteti vendor për të njëjtën periudhë ishte 2,2 miliardë lekë. Nga bashkitë, pagesat më të larta për dëmshpërblimet e të larguarve nga puna ishin në vitin 2016, në vlerën e 315,5 milionë lekë, dhe kanë kulmuar në vitin 2022, para vitit zgjedhor, në vlerën e 324,6 milionë lekë.
Një ndër arsyet e rritjes së faturës nga viti në vit është stoku i dosjeve të prapambetura, ku, sipas avokatëve, në shumë raste tejkalohet afati i arsyeshëm i gjykimit, që është deri në 3 vite. Deri në vitin 2023, numri i tyre në Gjykatën Administrative të Apelit llogaritej prej 23.140 çështje, ku 13% e tyre përbëjnë çështje për marrëdhëniet e punës.
“`
