Dënim i përjetshëm për vrasjen e babait në Durrës

Vrasja e Pëllumb Metës/ Gjykata e Durrësit dënon me burgim të përjetshëm Hysen Metën

Hysen Meta, i cili vrau babanë e tij dy vite më parë, në bashkëpunim me motrën Hygerta Meta, është dënuar me burgim të përjetshëm. Ngjarja e rëndë ndodhi në shkurt të vitit 2024, ku vëllai dhe motra, pasi qëlluan babanë 4 herë me armë, e groposën në kasollen pranë banesës së tyre.

Gjykata e Durrësit ka konfirmuar ditën e sotme dënimin për Metën. Ndërsa Hygerta Meta është dënuar me 8 vite heqje lirie dhe vëllai tjetër, Amarildo Meta, me 5 vite burg. Blerina Meta, e cila është dhe nëna e fëmijëve, është dënuar me 3 vite burg.

Si ndodhi vrasja?

Ngjarja e rëndë ndodhi në shkurt 2024 në Shënavlash të Durrësit, ndërsa shkaqet e krimit janë ende mister. Hysen Meta deklaroi në gjykatë se babai u vra me pistoletë nga e motra, Hygerta, krim të cilin ajo e pranoi më pas. Sipas Hygertës, sherri nisi pasi prindërit kërkonin ta fejonin me çdo kusht.

Më 13 shkurt, djali i madh, Hyseni, denoncoi në polici humbjen e babait të tij. Por pas dyshimeve të policisë, krimi u zbulua pas disa ditësh. Policia nisi hetimet dhe në datën 17 shkurt gjetën automjetin e viktimës në zonën e quajtur “Sektori Rinia”, duke ngritur dyshime se kishin të bënin me vrasje dhe jo me zhdukje.

Ndërkohë, 12 ditë pas zhdukjes së 51-vjeçarit, trupi i tij u gjet i groposur në kasollen pranë banesës së familjes në Shënavlash të Durrësit.

Një ditë pas zbulimit të trupit, policia njoftoi se autori i vrasjes ishte djali i madh, Hysen Meta, i cili sipas tyre e kishte qëlluar Pëllumb Metën me 4 plumba. Ky i fundit në deklaratën për policinë pranoi se kishte vrarë babain, por ky version u ndryshua gjatë dëshmisë para togave të zeza në Gjykatën e Durrësit, ku ai e mohoi të ishte përfshirë në krim. Autorësinë e mori sërish përsipër 19-vjeçarja, e cila tregoi edhe dinamikën nga momenti që kishte marrë vendimin për të vrarë të atin, deri në momentin që e qëlloi për vdekje.

Scroll to Top