Dënohen 16 persona me 118 vite burg për mashtrim me call center

Dënohen me 118 vjet burg të pandehurit e një skeme mashtrimi me call center

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka shpallur të martën, më 28 tetor, vendimin për dënimin e 16 të pandehurve, të akuzuar për përfshirje në një skemë mashtrimi ndaj qytetarëve italianë, e operuar nga një call-center në lagjen “Don Bosko” në Tiranë.

Gjykata vendosi të dënojë në total me 118 vjet e 6 muaj heqje lirie 16 të pandehurit e përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Çështja u shqyrtua me gjykim të shkurtuar, duke bërë që të pandehurit të përfitojnë uljen e 1/3 së dënimit.

Konkretisht, u dënua përfundimisht me 8 vjet heqje lirie i pandehuri Bruno Çobo. Me nga 7 vjet e 4 muaj burg u dënuan të pandehurit Elisa Çaçi, Gilbert Pushani, Valbona Abedinaj dhe Erion Kastrati. Ndërsa me 6 vjet e 8 muaj burgim u dënuan Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi, Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci, Gjin Shelnishta, Antoneta Malo, Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna.

SPAK nisi procedimin penal në vitin 2021 për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale të “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”. Kjo procedurë erdhi pas një hetimi të mëparshëm të nisur nga drejtësia italiane.

Bruno Çobo u akuzua si krijuesi i grupit kriminal, ndërsa të pandehurit e tjerë si pjesëmarrës.

Për të realizuar veprimtarinë e paligjshme, të pandehurit fillimisht kontaktonin personat nëpërmjet telefonit dhe u propozonin blerjen online të aksioneve “Amazon”, me premtimin e rremë për fitime të shpejta dhe të mëdha. Pasi klienti pranonte të firmoste për investimet, i dërgohej një e-mail me një link, përmes të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve. Viktima, sipas udhëzimeve të telefonuesit, shkarkonte aplikacionin “AnyDesk”, duke i lejuar në fakt mashtruesve të kishin akses të jashtëm në kompjuterin e tij dhe të merrnin kodet e sigurisë bankare, duke u futur më pas drejtëpërdrejt në numrat e llogarive bankare.

Sipas prokurorisë, skema parashikonte marrjen e më shumë parave duke i bindur viktimat se duhej të paguanin një lloj komisioni bankar për të marrë në zotërim shumën e investuar që ata ‘fitonin’. Për të humbur gjurmët, grupi kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personalë të viktimave, duke përdorur një server italian të provider-it Aruba. Ky server, sipas SPAK, garantonte fshehjen e adresës IP nga ku kryhej komunikimi, duke u shndërruar në pikën e vetme të komunikimit.

Hetimi për këtë skemë mashtrimi është nisur nga autoritetet italiane në shtator 2020, pas kallëzimit të një shtetasi italian, i cili kishte rënë viktimë e mashtrimit duke ‘investuar’ në këtë skemë 700 mijë euro.

Scroll to Top