Dënohet kushëriri i Tahirit për trafik droge pas 5 vitesh gjykim

Gjykata e Posaçme dënon kushëririn e Saimir Tahirit për trafik droge pas më shumë se 5 vitesh gjykim të shkurtuar.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të premten më 5 dhjetor, vendosi të shpallë vendimin për të pandehurit Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj. Ata akuzoheshin si pjesë e një organizate të trafikut të drogës, drejtuar nga Moisi Habilaj. Pas një procesi me gjykim të shkurtuar, që zgjati mbi 5 vjet e gjysmë, të gjithë të pandehurit u shpallën fajtorë.

Për shkak të lidhjeve me vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, ish-Prokuroria për Krime të Rënda e kishte akuzuar ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, për trafik droge. Megjithatë, gjykata e dënoi atë për shpërdorim detyre.

Dosja penale për gjykimin në themel të çështjes, në ngarkim të të pandehurve Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj, është regjistruar më 11 maj 2020, ndërsa seanca e parë u realizua më 22 korrik. Edhe pse të pandehurit pranuan gjykimin e shkurtuar dhe hetimi gjyqësor nuk ishte i nevojshëm bazuar në aktet hetimore të dorëzuara nga prokuroria, procesi përfundoi pas më shumë se 5 vjetësh e gjysmë.

Florian Habilaj u dënua me 15 vjet burgim për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Falë aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u reduktua në 10 vjet heqje lirie. Po aq u dënua edhe i pandehuri Sabaudin Çelaj. Armando Sulaj dhe Tigrens Mëzuraj u dënuan me nga 9 vjet burg secili. Si pasojë e uljes së 1/3-ës së dënimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tyre mbetet 6 vjet.

Familja Habilaj bëri bujë në arenën politike shqiptare në tetor 2017, pasi policia italiane mbylli një operacion katërvjeccar përgjimi me arrestimin e një grupi personash, shqiptarë dhe italianë, të dyshuar për trafikun e tonelatave marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Dokumentet gjyqësore italiane, të publikuara fillimisht nga Partia Demokratike në opozitë, shkaktuan tronditje të madhe politike. Kjo për shkak të diskutimeve mes trafikantëve mbi jetën politike në Shqipëri, duke përfshirë lidhjet e tyre me ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili më pas u dënua për këtë çështje për shpërdorim detyre.

Rasti i Habilajve rëndoi mbi qeverinë shqiptare, e cila u akuzua në mënyrë të përsëritur se lejoi dhe ndihmoi kultivimin e kanabisit në vitet 2015 e më pas, duke kthyer Shqipërinë në një “narkoshtet”.

Scroll to Top