Depozitimet e parave në ATM janë dyfishuar këtë vit
Depozitimet e parave në bankomate (ATM) kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të tretë të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, përdoruesit e sektorit bankar kanë kryer rreth 663 mijë depozitime automatike në ATM, duke shënuar një rritje prej 151% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për 9-mujorin e vitit 2025, numri total i depozitimeve ka arritur në 1.47 milionë. Këto shifra tregojnë një dyfishim të numrit të depozitimeve krahasuar me periudhën 9-mujore të një viti më parë. Rritja e transaksioneve është e ngjashme edhe për sa i përket vlerës. Në fund të 9-mujorit, depozitimet cash në ATM kanë arritur vlerën e 70.7 miliardë lekëve, duke regjistruar një rritje prej 94% krahasuar me një vit më parë.
Ky trend rritës për numrin dhe vlerën e transaksioneve të depozitimit në terminalet ATM vijon prej shtatë vitesh radhazi. Rritja mbështetet edhe nga zgjerimi i vazhdueshëm i rrjetit të pajisjeve që ofrojnë këtë shërbim. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i ATM-ve që mundësojnë depozitimin e parave cash në fund të 9-mujorit 2025 arriti në 427, duke u rritur me 13% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rreth 32% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.
Shqipëria karakterizohet ende nga përdorimi i lartë i parasë cash në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve. Ky përdorim i lartë krijon, si rrjedhojë, nevojën për depozitime periodike të parave në llogaritë bankare. Bankat po investojnë gradualisht në automatizimin e këtij shërbimi, me qëllim uljen e fluksit të klientëve në sportele, reduktimin e kostove operacionale dhe fokusimin e degëve bankare vetëm në rastet kur shërbimi nga stafi është i domosdoshëm.
Në fund të muajit shtator, sektori bankar shqiptar operonte me 1028 ATM-ve aktive, duke shënuar një rritje prej 30% krahasuar me një vit më parë. Numri i ATM-ve kishte pësuar rënie të vazhdueshme në periudhën 2015-2019, kryesisht për shkak të uljes së numrit të degëve dhe pakësimit të numrit të bankave tregtare. Megjithatë, pas vitit 2020, si pasojë edhe e pandemisë, bankat kanë shtuar numrin e ATM-ve, veçanërisht ato të vendosura jashtë degëve, për të lehtësuar operacionet në sportele.
Një faktor tjetër që ka nxitur shtimin e ATM-ve në vitet e fundit është turizmi. Rritja e numrit të turistëve ka bërë të nevojshëm shtimin e ATM-ve për të ofruar mundësi tërheqjeje parash cash edhe për turistët e huaj. ATM-të e vendosura jashtë degëve, sidomos në zonat turistike, zakonisht nuk operohen drejtpërdrejt nga bankat, por nga partneritete me biznese të tjera, veçanërisht kompani që tregtojnë pajisje ATM. Në këto partneritete, banka ofron infrastrukturën bazë të pagesave (sistemin, kontabilizimin dhe paratë cash), ndërsa institucionet financiare ofrojnë pajisjen ATM dhe mbulojnë kostot operacionale si transporti, rimbushja, sigurimi i parave, si dhe menaxhojnë marrëdhëniet me bizneset për qiratë e vendosjes së ATM-ve. Të ardhurat ndahen më pas në bazë të kostove të secilës palë.
