Dhuna në shkolla: TikTok-u nuk e zgjidhi, çfarë duhet bërë?

BIRN: Mbyllja e TikTok-ut nuk ndikoi në minimizimin e dhunës në shkolla

Vetëm gjatë tre javëve të para të muajit dhjetor 2025 janë regjistruar tre episode të ndryshme dhune mes nxënësve në disa qytete kryesore të vendit. Grupe adoleshentësh janë sulmuar mes tyre pranë ambienteve të shkollave në Sarandë, Shkodër dhe Durrës. Në një rast, dhuna ka pasur pasoja fatale, duke sjellë humbjen e jetës së një të riu.

Vendimi i qeverisë shqiptare në mars 2025 për mbylljen e platformës TikTok dukshëm nuk ka ndikuar në uljen e rasteve të dhunës në institucionet e arsimit publik shqiptar.

Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), i tha BIRN se mbyllja e TikTok-ut me qëllim minimizimin e dhunës mes të rinjve nuk ishte në fakt një zgjidhje e problemit, por një transferim i përgjegjësisë së të gjithë aktorëve tek teknologjia.

“Fajësojmë TikTok-un për të dalë nga situata”, u shpreh Bino. “Kjo jep një iluzion sigurie dhe një narrativë justifikuese që, përballë një tragjedie të madhe si vrasja e një të riu nga bashkëmoshatari në shkollë, duket sikur qeveria po bën diçka për të zgjidhur situatën”, shtoi ajo.

Edhe pse fillimisht vendimi për mbylljen e TikTok-ut u kritikua nga organizata të shoqërisë civile dhe aktivistë të lirisë së shprehjes, kryeministri Rama këmbënguli se vendimi i tij nuk ishte “i nxituar”, por bazohej në një anketim me rreth 65,000 prindër. 90% e tyre kishin kërkuar mbylljen e TikTok-ut, me pretekstin e luftimit të fenomenit të dhunës që kishte rrënjët në rrjetet sociale.

Drejtuesi i organizatës Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari, e cila merret me forcimin e rolit të qytetarëve dhe problemet e arsimit, pohoi gjithashtu për BIRN se mbyllja e TikTok-ut nuk dha rezultatin për të cilin u iniciua.

“Me shtimin e rasteve të dhunës në shkolla, mbyllja e TikTok-ut tregoi se ishte një masë pa ndikim në parandalimin e dhunës mes të miturve”, tha Xhemollari. Ai shtoi: “Dyshoj se për periudhën që u mbyll pati më shumë efekt kontrolli të përmbajtjeve elektorale në zgjedhje”.

Blerjana Bino theksoi se mbyllja e TikTok-ut, përveçse nuk zgjidhi problemin e dhunës, dëmtoi edhe komunikimin e partive me qytetarët gjatë fushatës elektorale 2025, duke cenuar hapësirat demokratike të komunikimit.

“Për sa kohë nuk pati një vlerësim të bazuar në evidencë për të arsyetuar vendimin e mbylljes së platformës, kjo lë hapësira për të deduktuar se ka pasur qëllime të tjera dhe siguria e të rinjve është përdorur si justifikim”, tha Bino.

Ekspertët pranuan për BIRN se dhuna ndaj të rinjve është një fenomen shoqëror kompleks dhe nuk ka një zgjidhje të vetme, siç mund të jetë mbyllja e platformave të caktuara.

Xhemollari u shpreh se Qëndresa Qytetare i ka propozuar Ministrisë së Arsimit disa masa që mund të kontribuojnë realisht në uljen e nivelit të dhunës në institucionet e arsimit.

“Ne kemi propozuar orarin 8 me 4 për shkollat publike, si masë që të miturit të mbahen nën mbikëqyrje dhe kontroll gjatë kohës që janë jashtë mbikëqyrjes prindërore”, tha Xhemollari. Sipas tij, kjo gjithashtu rrit mundësinë për angazhimin sportiv, kulturor dhe individual të të rinjve, larg ofertave të kontingjentëve kriminalë dhe të drogës.

Edhe ekspertja Bino është e mendimit se theksi duhet vënë te roli parësor i shkollës dhe i gjithë ekosistemit të arsimit publik e privat në vend.

“Përmirësimi i sigurisë, përmirësimi i orarit të mësimit dhe zbatimi real i konceptit të shkollës si qendër komunitare, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të angazhohen në aktivitete sportive e edukuese, do të mund të ishte një zgjidhje afatgjatë”, tha Bino për BIRN. Ajo shtoi se më tej duhen forcuar edhe marrëdhëniet prindër – mësues, në mënyrë që të ketë dialog të vazhdueshëm për reagimin në kohë dhe zgjidhjen e problemeve, si edhe të forcohen kapacitetet e mësuesve dhe psikologëve në shkolla.

Scroll to Top