VIDEO/ Dhurata e pazakontë e Erdoganit në samitin e NATO-s, u jep liderëve revolver me municion
Samiti dyditor pati edhe një moment të pazakontë. Përveç fokusit te mbrojtja dhe rritja e sigurisë së Aleancës, vëmendje mori edhe dhurata e pazakontë e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në samitin e NATO-s. Ai u dhuroi liderëve të pranishëm revolverë me municion.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, befasoi liderët e NATO-s me një dhuratë në përfundim të samitit të zhvilluar në Ankara. Secilit prej tyre iu dhuruan personalisht revolverë Gumusay .357 Magnum, të gdhendur me emrin e marrësit dhe të shoqëruar me municion, duke shkaktuar sfida ligjore dhe të sigurisë për disa delegacione europiane.
Sipas raportimeve, revolverët ishin vendosur në kuti druri me flamurin turk dhe logon e NATO-s, të pajisur me një komplet pastrimi dhe fishekë. Dhurata synonte të promovonte industrinë turke të mbrojtjes, por u përball menjëherë me kufizimet ligjore për importin dhe posedimin e armëve në disa vende europiane.
Një nga rastet më të komentuara ishte ai i kryeministrit belg, Bart De Wever, i cili, sipas Reuters, mësoi vetëm gjatë kthimit për përmbajtjen e kutisë. Pas mbërritjes në Belgjikë, arma dhe municioni iu dorëzuan menjëherë policisë së aeroportit dhe u vendosën në një kasafortë të sigurt, në pritje të një vendimi përfundimtar.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer dhe homologu i tij holandez vendosën t’i linin revolverët në Turqi, pranë përfaqësive diplomatike të vendeve të tyre.
Armët pritet t’i nënshtrohen çaktivizimit të plotë para se të transportohen, pasi legjislacioni i vendeve të tyre nuk lejon importimin e armëve funksionale.
Edhe institucionet e Bashkimit Europian u përballën me të njëjtën situatë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do ta ruajë revolverin në një ambient të kontrolluar dhe më pas planifikon ta çaktivizojë e ta dhurojë në një muze ushtarak.
Për Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, u ndoqën procedurat standarde për regjistrimin e dhuratave zyrtare, pasi vlera e armës tejkalon kufirin prej 150 eurosh të lejuar për dhuratat personale të zyrtarëve europianë.
Sipas Reuters, gjesti i Erdoganit shihet si një mënyrë për të promovuar industrinë turke të armëve, në një kohë kur Turqia renditet ndër eksportuesit më të mëdhenj të armëve të lehta në botë. Megjithatë, dhurata ka hapur debat mbi protokollet diplomatike dhe mënyrën e menaxhimit të armëve të zjarrit si dhurata zyrtare.
