Llatja: Digjitalizimi është çelësi për zhvillimin e biznesit lokal
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, mori pjesë në një aktivitet të organizuar në kuadër të projektit DiVA – Digital Valley Albania. Kjo iniciativë synon të mbështesë bizneset e vogla dhe të mesme në procesin e tyre të transformimit digjital.
Gjatë aktivitetit u bë e ditur se shtatë biznese nga Elbasani kanë nisur tashmë procesin e digjitalizimit. Ato kanë përfituar falas trajnim, konsulencë, zgjidhje me Inteligjencë Artificiale (AI), marketing digjital dhe siguri kibernetike. Gjithashtu, iu ofrua mundësia për të testuar teknologjitë më të reja para se të investonin në to.
Në fjalën e tij, Llatja theksoi se Bashkia e Elbasanit mbështet çdo nismë që ndihmon sipërmarrjen vendase të bëhet më konkurruese dhe më e përgatitur për sfidat e ekonomisë moderne. Ai nënvizoi se bashkia do të vijojë të jetë një urë lidhëse mes biznesit lokal dhe programeve të Bashkimit Europian, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillim përmes inovacionit dhe teknologjisë.
Projekti DiVA – Digital Valley Albania synon të nxisë transformimin digjital të bizneseve shqiptare dhe t’i afrojë ato me standardet europiane, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.