Dogana&DIHA: Bashkëpunim me biznesin gjerman për integrim BE

Dogana dhe DIHA zhvillojnë dialog me biznesin gjerman për reformat dhe sfidat drejt integrimit në BE

Administrata Doganore Shqiptare dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri (DIHA) organizuan një forum të përbashkët me përfaqësues të bizneseve gjermane dhe kompanive që operojnë në Shqipëri. Takimi u fokusua në reformat doganore, lehtësimin e procedurave dhe përgatitjen e bizneseve për ndryshimet që sjell procesi i integrimit në Bashkimin Europian.

Në forum morën pjesë:

  • Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja
  • Drejtues të departamenteve dhe strukturave kryesore të Administratës Doganore
  • Drejtoresha e GIZ për Shqipërinë, znj. Jule Schultz
  • Drejtori Ekzekutiv i DIHA-s, z. Bledar Mankollari
  • Përfaqësues të kompanive nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, u shpreh se prioritetet e Administratës Doganore, në kuadër të procesit të integrimit europian, përfshijnë përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, modernizimin dhe digjitalizimin e sistemeve doganore, si dhe rritjen e profesionalizmit të administratës. Ai theksoi:

“Transformimi i Administratës Doganore duhet të ecë paralelisht me përgatitjen e biznesit për mjedisin e ri doganor europian, përmes përshtatjes së sistemeve, stafit të trajnuar dhe rritjes së kapaciteteve për t’iu përgjigjur kërkesave të reja që sjell integrimi në BE”.

Drejtoresha e GIZ për Shqipërinë, znj. Jule Schultz, vlerësoi rëndësinë e një shkëmbimi të hapur dhe praktik mes Doganës dhe biznesit. Ajo theksoi se mbështetja e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Evropian mbetet një nga drejtimet kryesore të punës së GIZ. Në këtë kuadër, ajo evidentoi rolin e EU4Trade, të bashkëfinancuar nga Qeveria Gjermane dhe Bashkimi Evropian, në mbështetjen e një tregtie më të lehtë, më të parashikueshme dhe gjithnjë e më të përafruar me standardet e BE-së. Bashkëpunimi me administratat doganore përfshin thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, forcimin e menaxhimit të riskut dhe mbështetjen e programeve për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO).

Një vëmendje e veçantë gjatë forumit iu kushtua statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar (AEO) dhe përfitimeve që ai krijon për bizneset, nëpërmjet procedurave më të lehtësuara dhe një marrëdhënieje të bazuar në besim dhe përputhshmëri me Administratën Doganore.

Drejtori i Përgjithshëm, z. Beja, ftoi kompanitë pjesëmarrëse që plotësojnë kriteret të konsiderojnë aplikimin për statusin AEO, duke theksuar se zgjerimi i numrit të operatorëve të autorizuar mbetet një nga prioritetet e Administratës Doganore. Ai shtoi:

“Aktualisht janë 23 operatorë me status AEO dhe mbi 15 aplikime të tjera janë në proces, ndërsa puna po vijon për zgjerimin e mëtejshëm të këtij programi.”

Pjesë e diskutimeve ishin gjithashtu digjitalizimi dhe sistemet e reja që po implementohen në funksion të integrimit europian. Midis tyre u përmend NCTS – New Computerised Transit System, i cili synon të lehtësojë dhe modernizojë procedurat e tranzitit dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave në përputhje me standardet europiane.

Forumi konfirmoi rëndësinë e vijimit të dialogut të drejtpërdrejtë mes Administratës Doganore, partnerëve ndërkombëtarë dhe komunitetit të biznesit. Ky dialog synon që reformat që shoqërojnë procesin e integrimit europian të zhvillohen në konsultim me operatorët ekonomikë dhe të adresojnë nevojat konkrete të aktivitetit të tyre.

Administrata Doganore do të vijojë konsultimin me biznesin, me synimin që modernizimi i procedurave të shoqërohet me më shumë lehtësi, transparencë dhe parashikueshmëri për operatorët ekonomikë, si dhe me një përfshirje më të gjerë të kompanive në programin AEO.

Scroll to Top