Dy persona të armatosur, Julian Çumraku dhe Arben Uka, të cilët prej mëngjesit ishin ngujuar në një banesë të braktisur në fshatin Orosh të Fushë Arrësit, janë vetëdorëzuar. Pas disa orësh negociatash, ata vendosën të dorëzoheshin paqësisht.
Forcat e rendit fillimisht tentuan të krijonin kontakt me ta përmes familjarëve, duke u afruar vëllait dhe më pas motrës së njërit prej të rrethuarve, të cilët arritën t’i bindin për dorëzimin.
Raportohet se Arben Uka, i njohur edhe si Hamza Uka, dhe Julian Çumraku, kanë qenë më parë në Siri dhe dyshohet se i përkasin organizatave terroriste. Sipas informacioneve, Arben Uka ka shërbyer më parë si Komando në Ushtrinë shqiptare.
Aksioni i policisë në fshatin Orosh, pjesë e njësisë administrative Qafë Mali, nisi në orët e para të ditës. Forcat blu rrethuan një banesë të braktisur prej vitesh, ku të dy personat ishin strehuar. Për shkak të situatës, Policia e Pukës kërkoi mbështetjen e forcave speciale RENEA.
