Dosje SPAK: Akuzat për hakerim dhe përgjime shqetësuese

**Dosja e hakerimit të sistemit të SPAK: Biseda të përgjuara zbulojnë ndërhyrje të paautorizuar**

Një dosje e siguruar nga Syri TV zbulon detaje rreth një rasti hakerimi në sistemin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Akuzat kryesore drejtohen ndaj ish-drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj, të cilët dyshohet se kanë hakeruar kompjuterët e tre prokurorëve të SPAK.

Bisedat e përgjuara, të marra nga analiza e telefonit të Zambak Gjonit në mars 2025, tregojnë komunikime mes Arnold Rrokajt dhe Zambak Gjonit. Në një rast, më 12 shkurt 2025, Arnold Rrokaj i dërgon Gjonit një foto të një faqeje interneti, nga ku duket se mund të aksesohen sistemet e SPAK. Më pas, ai i dërgon një SMS me tekstin: “A mos e hapsha dot”.

Komunikimi më i rëndësishëm i publikuar nga dosja është një SMS tjetër nga Rrokaj drejtuar Gjonit, ku shprehet: “Se do i shkruaj Ramës… hajt tu qim ropt”. SPAK vlerëson se ky komunikim ngre një bindje të arsyeshme se veprimet e të hetuarit lidhen me ndërhyrje të paautorizuar në sistemin e Prokurorisë së Posaçme, me qëllim dëmtimin e saj, duke përfshirë shpërndarjen e dokumenteve tek persona të tretë.

Nëntë ditë më vonë, më 21 shkurt 2025, Zambak Gjoni kërkon informacion nga Arnold Rrokaj edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi. Rrokaj i përgjigjet: “Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp, duke publikuar pjesë nga dosja, sqaroi se “Engjëll Agaçit i kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera”.

SPAK evidenton në dosje se nga përmbajtja e komunikimeve dhe materialet e gjetura në aparatin celular të Zambak Gjonit, rezulton se Arnold Rrokaj kishte arritur të aksesonte emailet e disa prokurorëve të SPAK dhe të merrte dokumenta prej tyre.

Ndërkohë, sipas dosjes, disa nga shkresat e përftuara nga hakerimi përmbajnë materiale hetimore dhe informacione rreth ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Erion Veliajt, Damian Gjiknurit, fotografi me kallëpe floriri, si dhe të dhëna rreth kontrolleve në banesën e Franc Çopjas. SPAK ka dorëzuar dosjen në gjykatë, duke theksuar se hyrja e paautorizuar u krye në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Kryetari i PD-së Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si përfitues nga ky hakerim dhe i ka kërkuar dorëheqjen.

Scroll to Top